Rriten shqetësimet për fatin e mbrojtësve të Azovstalit

Një ushtar ukrainas shihet në ambientet e fabrikës së shkatërruar Azovstal në Mariupol.

Shqetësimet sa vijnë e shtohen për fatin e ushtarëve ukrainas që tani janë në duart e forcave ruse, pas braktisjes së fabrikës së çelikut, Azovstal në qytetin e Mariupolit.

Ligjvënësi rus, Leonid Slutsky, udhëheqës i Partisë Demokratike Liberale në Rusi, ka thënë më 22 maj se fati i ushtarëve të zënë, “duhet të përcaktohet nga një tribunal”.

“Mendimi im nuk ka ndryshuar: nuk duhet të ketë këmbim të anëtarëve të Regjimentit të Azovit, i cili është i paligjshëm në Rusi”, ka thënë Slutsky përmes kanalit të tij në Telegram.

SHIKONI EDHE: Zelensky: Vetëm diplomacia i jep fund luftës

Zyrtarët ukrainas dhe familjarë të ushtarëve, i kanë bërë thirrje Moskës që t’i trajtojë burrat si të burgosur të luftës.

Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshuk, ka thënë më 21 maj se Kievi “do të luftojë për kthimin” e secilit prej tyre.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më 20 maj se forcat e saj kontrollojnë plotësisht fabrikën e çelikut, pas disa javëve të luftimeve intensive në këtë qytet, në të cilin besohet se janë mijëra njerëz të vrarë.

Mariupoli: Jeta mes rrënojash në qytetin e okupuar

Ukraina e ka përshkruar tërheqjen nga Azovstali si “evakuim” të autorizuar, dhe jo si dorëzim.

Rusia ka thënë se rreth 2,500 ushtarë ukrainas janë në mbajtje.

Denis Pushilin, udhëheqës i grupit separatist – të mbështetur nga Rusia – në rajonin ukrainas Donjeck, ka thënë se beson që të burgosurit do të përballen me një “tribunal”.

Kremlini e konsideron pushtimin në Ukrainë si përpjekje për të çrrënjosur “nazistët” dhe ekstremistët tjerë nga ky shtet.

Your browser doesn’t support HTML5

Rrëfime të tmerrshme të mbijetesës në Azovstalin e rrethuar

Kievi dhe Perëndimi besojnë se ky është një arsyetim i rremë për nisje të luftës.

Regjimenti i Azovit është një grup vullnetar i të djathtës ekstreme, pjesë e Gardës Kombëtare ukrainase.

I njohur më parë si Batalioni i Azovit, ai ndjek një ideologji ultra-nacionaliste, të cilën autoritetet amerikane për sundim të ligjit e kanë lidhur me ekstremizëm neo-nazist.

Mirëpo mbështetësit e grupit e shohin organizatën si patriotike dhe pjesë të rëndësishme për mbrojtje të shtetit.

Agjencia ruse e lajmeve, Interfax, ka thënë më herët se Moska është duke shqyrtuar mundësinë e këmbimit të të burgosurve të Azovstalit me politikanin ukrainas dhe pro-rus, Viktor Medvedchuk, i cili përballet me akuza penale në Ukrainë.

SHIKONI EDHE: Ekspertët ligjorë: Putin mund të paditet

Ministria ruse e Mbrojtjes ka publikuar një video në të cilën thuhet se shihet momenti kur trupat ruse e marrin në mbajtje Serhiy Volynskiy, komandantin e marinës ukrainase.

Besohet se rreth 100,000 civilë vazhdojnë të mbesin në Mariupol, të përballur me situatë të rëndë shëndetësore dhe higjienike.

SHIKONI EDHE: Zelensky: Donbasi është shkatërruar plotësisht

Zyrtarët lokalë kanë akuzuar Rusinë për kryerje të mizorive në këtë qytet, duke përfshirë sulmin në një maternitet dhe bombardimin e një teatri, ku kanë qenë të strehuar mijëra njerëz javë më parë.

Në disa imazhe satelitore të publikuara në muajin prill, shihen ato që duken si varreza masive në dalje të Mariupolit.

“Qyteti është në prag të shpërthimit të sëmundjeve infektuese”, ka thënë kryetari i Mariupolit, Vadym Boychenko.

Përgatiti: Krenare Cubolli