Ish-udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me aktakuza për krime lufte në Dhomat e Specializuara në Hagë, mund të mbesin pa mbulesë të plotë financiare nga shteti për mbrotjen e tyre. Ata kanë angazhuar avokatë të njohur ndërkombëtarë, e që kostoja e tyre, mund të tejkalojë tarifat e përcaktuara nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës.
Bashkë me miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës po ashtu kishte miratuar një ligj, sipas të cilit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.
“Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga buxheti i Kosovës, i alokuara për qëllimet e këtij ligji”, thuhet mes tjerash në këtë ligj.
Por, me udhëzimin administrativ MD - Nr. 02/2020, të datës 24 korrik 2020, të nënshkruar nga ministri i Drejtësisë Selim Selimi, përcaktohet se mbulimi financiar i avokatëve, bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës; tarifave për avokatë në Holandë; tarifave të shtetit prej nga vjen mbrojtësi dhe tarifave për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara.
SHIKONI EDHE: Përgjegjësitë individuale për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se rregullativa ligjore është e qartë. Sipas tij, ata që në Hagë kanë avokatë të famshëm ndërkombëtarë, do të duhet të paguajnë vetë një pjesë buxhetit.
“Mbrojtja e avokatëve ndërkombëtarë mund të jetë shumë, shumë e shtrenjtë, por kjo nuk do të thotë që të njëjtit (të akuzuarit) mund të marrin avokatët më të shtrenjtë për t’i përfaqësuar ata. Këtë mund ta bëjnë, por përmes buxhetit të tyre”, tha Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Sa kushton mbrojtja?
Shumat që kërkohen nga avokatët mbeten konfidenciale, por bazuar në përvojat e mëhershme, bëhet fjalë për miliona euro.
Micheal O’Reilly ka qenë pjesë e ekipit mbrojtës të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë proceseve gjyqësore në Tribunalin e Hagës për Krimet në ish-Jugosllavi.
Në një shkrim për Irishtimes, O’Reilly, më 23 maj 2015, kishte shkruar se Haradinaj ka paguar 11 milionë euro për mbrotjen e tij.
“I thash atij se do t’i kushtonte 5 milionë euro për të pasur mbrotjen që i duhet. Në fakt, i kushtoi 11 milionë euro dhe të gjitha ishin donacion nga populli i Kosovës. I thash atij se ky gjykim do t’ia merrte dy vjet të jetës së tij (edhe jetës time) në fakt, ia mori tetë, katër nga të cilat i kaloi në burg”, kishte shkruar O’Reilly.
SHIKONI EDHE: Kush po i mbron ish-pjesëtarët e UÇK-së?Tashmë, ish-krerët më të lartë të UÇK-së kanë publikuar ekipet e tyre mbrojtëse, e që përbëhen nga emra prominent.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të mbrohet nga Pierre-Richard Prosper, David Hooper dhe Dastid Pallaska.
Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka zgjedhur për avokat britanikun Ben Emmerson, i cili e ka mbrojtur në Tribunalin e Hagës edhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Në ekipin mbrojtës të Veselit është edhe britaniku tjetër, Andrew Cayley.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka angazhuar avokaten nga Malajzia, Venkateswari Alagendra.
Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, ka zgjedhur si përfaqësues ligjor në mbrotjen e tij kundër pretenedimeve të Prokurorisë së Specializuar, britanikun David Young.
Avokat më pak të njohur ndërkombëtarisht ka ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Salih Mustafa që është i akuzuar për krime lufte. Mustafën do ta mbrojë holandezi, Julius Von Boné.
Transparencë për shpenzimet e mbrojtjes
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar sqarime nga Ministria e Drejtësisë lidhur me atë se si do të veprohet me rastet kur të akuzuarit do të kërkojnë mbulesë financiare më të madhe se sa parashikohet në tarifat e përcaktuara, por nuk ka marrë asnjë përgjigjje.
Në bazë të udhëzimit administrativ, ministria do të krijojë një komision, i emëruar nga ministri i Drejtësisë, që do të udhëhiqet nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë, e që do të ketë në përgjegjësi miratimin ose refuzimin e kërkesave për financim të mbrojtjes ligjore.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, kërkojnë që Ministria e Drejtësisë të jetë transparente në pagesat që do t’i kryejë për avokatët mbrojtës.
“Transparenca dhe llogaridhënia janë bazike për të siguruar se të gjithë personat e akuzuar mund të marrin mbrojtjen financiare, në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe jo siç ka ndodh deri më tash, kur kjo është bërë në baza selektive”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.
“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës duhet të ndryshojë menjëherë taktikën e deritanishme, në mënyrë që çdo lloj i ndihmës financiare të jetë publike dhe kërkesat për ndihmë financiare të jenë po ashtu publike. Kjo do të shmangte mundësinë që persona të caktuar të jenë të privilegjuar e disa të tjerë jo, siç ka ndodhur deri më tani”, shtoi ai.
SHIKONI EDHE: Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon nisjen e gjykimit në qershor të vitit 2022Por, transparenca që po kërkohet nga kjo organizatë, është vënë në pikëpyetje, pasi më 16 nëntor, Ministria e Drejtësisë, ka bërë amendamentimin e udhëzimit administrativ të datës 24 korrik, 2020, e ku ka publikuar formën e kontratës që do të nënshkruajë me avokatët mbrojtës.
Aty përcaktohet se marrëveshjet do të mbesin konfidenciale.
“Ministria pranon që kjo marrëveshje si dhe çdo komunikim në të ardhmen në mes të avokatëve dhe klientit ose në mes të avokatëve dhe ministrisë, janë rreptësisht konfidenciale”.
Si bëhët kërkesa për financimin e mbrojtjes juridike?
Të gjithë të akuzuarit ose të autorizuarit e tyre duhet të plotësojnë një kërkesë zyrtare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike. Në këto shpenzime mund të përfshihen të gjitha shërbimet që i kryen ekipi mbrojtës, duke përfshirë madje, edhe shpenzimet e zyrës dhe telefonatave, gjë e cila nuk ishte parashikuar në udhëzimin e parë administrativ, e që u lejua në udhëzimin e fundit, të datës 16 nëntor.
SHIKONI EDHE: Mjetet e ndara nga Kosova për mbrojtje para Dhomave të SpecializuaraE njëjta lëndë më tej procedohet nga komisioni i caktuar për këtë çështje.
Por, pos mbulimeve të shpenzimeve të përfaqësimit ligjor, shteti do të paguajë edhe për të gjitha shpenzimet e vizitave të familjarëve të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara. Kjo është e rreguluar me një udhëzim të veçantë administrativ, të datës 23 korrik 2020.
“Çdo person i akuzuar potencial, brenda një viti, ka të drejtë të vizitohet me mbështetje të nevojshme financiare, më së shumti nga dymbëdhjetë anëtarë të ngushtë të familjes, dhe jo më shumë se tre anëtarë të familjes për një vizitë”, përcaktohet në udhëzim.
SHIKONI EDHE: Dhomat e Specializuara publikojnë aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe KrasniqitNë këtë kategori përfshihen bashkshortët, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat.
Në kuadër të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, është përfshirë edhe realizimi i së drejtës për kompensimin e personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, të shpallur të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.
Deri më tash, për proceset e para në Hagë, janë ndarë 61 mijë euro nga Qeveria e Kosovës.
Ndërkaq për vitin e ardhshëm, në projektbuxhet janë parashikuar 6,7 milionë euro për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes të të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara.