Prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, zyrtarët në Kiev u kanë kërkuar aleatëve perëndimorë që t’i furnizojnë forcat e tyre ajrore me avionë të avancuar luftarakë, të tillë si F16. Por, Shtetet e Bashkuara, të cilat i prodhojnë këta avionë, kanë hezituar t’i dërgojnë, ose t’i lejojnë vendet e tjera t’i rieksportojnë ata, nga frika se avionët mund të përdoren për të goditur caqe brenda Rusisë dhe, në këtë mënyrë, të përshkallëzohet konflikti.
Kjo ka ndryshuar 15 muaj pasi Rusia ka nisur pushtimin e fqinjit të saj, kur presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë një kthesë drastike në politikë duke u thënë aleatëve se do të lejojë që pilotët ukrainas të trajnohen për avionët F16 dhe se SHBA-ja do të punojë me vendet e tjera për furnizimin e Kievit me këta avionë.
Vendet mund t’i rishesin ose rieksportojnë pajisjet ushtarake amerikane vetëm nëse SHBA-ja e miraton një gjë të tillë, kështu që ky njoftim u ka hapur rrugë atyre që të dërgojnë F-16-sha në Ukrainë.
SHIKONI EDHE: Biden përkrah planin për trajnim të pilotëve ukrainas për aeroplanët luftarakë F-16Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar si “historik” këtë vendim dhe ka thënë se ai “do ta forcojë shumë” ushtrinë e tij në qiell.
“Ne po ecim në fushën e modernizimit të mbrojtjes më shpejt seç mund të imagjinohej gjysmë viti më parë”, ka thënë Zelensky.
Kremlini ka reaguar, duke thënë se transferimi i avionëve F16 në Ukrainë ngre pyetje për përfshirjen e NATO-s në konflikt dhe nuk do t’i minojë qëllimet ushtarake të Rusisë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka mohuar një gjë të tillë. Ai ka thënë se drita jeshile e SHBA-së për avionët F-16 në Ukrainë, është një hap i rëndësishëm.
“Ne duhet ta mbajmë në mend se çfarë është kjo. Kjo është një luftë agresioni. Ukraina ka të drejtë të vetëmbrohet. Ata po e mbrojnë veten. Dhe, e drejta e vetëmbrojtjes është e paraparë me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Ne po e ndihmojmë Ukrainën që ta ketë këtë të drejtë”, ka theksuar ai.
SHIKONI EDHE: NATO: Trajnimi i pilotëve ukrainas nuk na bën pjesë të konfliktitPër këtë ndryshim politike, Expose ka biseduar me gjeneralin e pensionuar të ushtrisë amerikane, Douglas Lute, i cili ka shërbyer edhe si përfaqësues i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në NATO. Ja si e komenton ai:
“Mendoj se kanë ndryshuar dy gjëra. Fillimisht, pas 15 muajve luftë në Ukrainë, pas kërcënimeve të vazhdueshme për përshkallëzim nga rusët, pas shqetësimeve të vazhdueshme të SHBA-së dhe 50 vendeve të koalicionit se mbështetja në rritje për Ukrainën mund të jetë provokim, kemi parë se kërcënimet e Rusisë janë kryesisht boshe. Asnjë ndihmë [për Ukrainën] nuk ka nxitur ndonjë reagim të Rusisë. Pra, gjatë 15 muajve të fundit e kemi pasur një model dhe mendoj se kjo e ka lehtësuar vendimin për F16-shit. Gjëja tjetër që ka ndryshuar është se disa aleatë të NATO-s i kanë thënë SHBA-së se janë të gatshëm t’i ofrojnë Ukrainës avionë F16, të prodhimit amerikan, dhe të ndihmojnë me trajnime. Mendoj se edhe mbështetja e aleatëve e ka bërë më të lehtë vendimin e SHBA-së”.
Ukraina ka një flotë të konsiderueshme, por të vjetër të avionëve dhe helikopterëve luftarakë, të trashëguar nga koha kur ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Flota e Forcave Ajrore të Ukrainës përfshin avionë luftarakë, si MiG-29, bombardues dhe avionë transporti dhe trajnimi. Analistët ushtarakë perëndimorë vlerësojnë se flota e kombinuar e Ukrainës - edhe ajrore, edhe tokësore - është shterur për më shumë se një të tretën që nga fillimi i pushtimit rus.
SHIKONI EDHE: Lavrov për avionët F-16: Perëndimi po luan me zjarrUshtria ruse, e pesta më e madhja në botë, ka qenë gjatë gjithë kohës në avantazh, sa i përket sidomos fuqisë nga ajri. Gjenerali Lute thotë se avionët F16 do ta adresojnë këtë çekuilibër midis dy ushtrive dhe do të sjellin ndryshime në fushëbetejë. Duke folur për Exposenë, ai shpjegon se cilat janë kapacitetet e një avioni F16:
“Para së gjithash është një avion i dëshmuar i klasës botërore, i gjeneratës së katërt, që ka dy funksione kryesore në fushëbetejë. Së pari, mbrojtëse. Ata ofrojnë mbrojtje shumë të rëndësishme kundër avionëve rusë pa pilotë, por edhe raketave lundruese ruse. Ata po ashtu kanë kapacitete sulmuese. Mund të shërbejnë si artileri ajrore, duke ofruar sisteme precize të sulmeve, në mbështetje të forcave tokësore. Ndërsa, aftësi e dytë e tyre janë sulmet e thella, që shkojnë përtej vijës së frontit, në thellësi të territoreve të pushtuara. Pra, mund të sulmojnë me precizitet selitë ruse, vendet e tyre të logjistikës, transportit, e kështu me radhë”.
F16-shit, megjithatë, nuk pritet të fluturojnë shpejt mbi qiejt e Ukrainës. Zyrtarët perëndimorë kanë thënë në fund të muajit të kaluar, se trajnimi i pilotëve do të fillojë në javët e ardhshme, në një vend të paspecifikuar në Evropë.
Gjenerali i pensionuar i ushtrisë amerikane, David Deptula, thotë për Exposenë se trajnimi mund të marrë disa muaj kohë.
“F16 ka një radar shumë më të avancuar sesa MiG 29 ose Su-27. Duhet mësuar radari, pastaj sistemet e ndryshme të armëve, ka armë ajër-ajër, ka armë për sulme në sipërfaqe, ose bomba. Pra, F16 ofron një platformë shumë të aftë për atë që njihet si ‘shtypje e mbrojtjes ajrore të armikut’. Ka një sërë sistemesh të ndryshme armësh që pilotët duhet t’i zotërojnë. Dhe kjo kërkon tre deri në pesë muaj kohë”, thotë ai.
SHIKONI EDHE: Si po e ndihmon SHBA-ja Ukrainën që të sigurojë avionë luftarakë?Përveç kësaj, kohë do të marrë edhe dorëzimi i avionëve, por edhe i pajisjeve të mirëmbajtjes. Edhe gjenerali Deptula pret ndryshime në fushëbetejë, por me siguri jo këtë vit.
“Ajo çfarë dua të them është se, më në fund, administrata amerikane e ka kuptuar se ajo që i duhet Ukrainës tani, është një ndryshues loje, që mund t’i transformojë përllogaritjet në luftë. E ka kuptuar se ai ndryshues loje, është fuqia ajrore. Sepse, avionët që mund të fluturojnë 600 milje në orë, mund t’i ndikojnë operacionet në të gjithë Ukrainën lindore dhe veriore brenda minutash - me efekte të shumëfishta dhe me një shkallë saktësie që forcat tokësore, tanket, artileria, thjesht, nuk mund ta arrijnë”, shprehet Deptula.
F-16, prodhim amerikan, ka fluturuar për herë të parë në vitin 1976. Ai shfrytëzohet nga ushtritë e 25 vendeve për luftime ajër-ajër ose ajër-tokë. Ai ka fluturuar në operacionet e SHBA-së në Afganistan, Irak, Kosovë dhe Gjirin Persik. Në një shkrim autorial, të botuar në gazetën Foreing Policy, pak ditë përpara se të merrej vendimi për F16-shit, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba, ka thënë se këta avionë kanë rëndësi jetike, jo vetëm për Ukrainën.
“Duke marrë këtë hap strategjik, Uashingtoni jo vetëm që do të shpëtojë shumë jetë ukrainase dhe do të sigurojë sukseset e Ukrainës në fushën e betejës, por do të ndihmojë gjithashtu në zbutjen e krizës globale të ushqimit dhe do të sigurojë stabilitet afatgjatë në Evropë”, ka thënë Kuleba.
I pyetur për paralajmërimet e Rusisë, se avionët F16 në Ukrainë nënkuptojnë përfshirjen e NATO-s në konflikt dhe mund të nxisin përgjigjen e Moskës, gjenerali Lute përgjigjet:
“Neni 51 i Kartës së OKB-së thotë se të gjitha vendet anëtare të OKB-së kanë të drejtë ta mbështesin një vend, një shtet tjetër anëtar si Ukraina, që thjesht është duke u mbrojtur. Pra, kjo bëhet plotësisht në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Është plotësisht legjitime. Rusët kanë kërcënuar vazhdimisht, por nuk kanë mundur të bëjnë asgjë në këtë drejtim”.
SHIKONI EDHE: Pse Ukrainës i duhen avionët e huaj?Aleatët e NATO-s janë zotuar se do t’i dërgojnë armatim Ukrainës për aq kohë sa t’i duhet për të luftuar agresionin rus. Shtetet e Bashkuara janë deri më tash kontribuueset më të mëdha në këtë drejtim, të ndjekura nga Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian. Dërgesat, deri më tash, kanë përfshirë: tanke, obusë, sisteme raketore, dronë e të tjera.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, është shprehur më i rezervuar në lidhje me dërgesat e pritshme të avionëve luftarakë F16. “Në luftë nuk ka armë magjike”, ka thënë ai. Se sa dhe kush do të dërgojë F16-sha në Ukrainë pasi të kryhen trajnimet e pilotëve, nuk është ende e qartë. Po ashtu, nuk dihet se çfarë roli tjetër mund të luajë SHBA-ja, përveç miratimit të lejes për transferimin e avionëve nga palët e treta.