Avancimi i talibanëve "përbën krizë ekzistenciale" për Qeverinë afgane

Një ushtar afgan duke kontrolluar një pikëkalim mes qyteteve në Afganistan.

Ofensiva e talibanëve në Afganistan është duke paraqitur “krizë ekzistenciale” për Qeverinë në Kabul, teksa largimi i trupave amerikane pritet të përfundojë në fund të muajit të ardhshëm.

Kështu është thënë në një raport të përpiluar për Kongresin amerikan nga Inspektori Gjeneral amerikan për Rindërtim të Afganistanit (SIGAR).

Në raport është thënë se marrëveshja në mes të Uashingtonit dhe talibanëve, e arritur në shkurt të vitit 2020 në Katar, në vend që të ndikonte në nisje të bisedimeve për paqe, ka rezultuar me një ofensivë ushtarake të talibanëve, që ka zënë të papërgatitura forcat qeveritare afgane.

Në raport është thënë se sulmet e talibanëve ndaj forcave qeveritare janë rritur nga 6,700 në tre muaj të arritjes së marrëveshjes, në 13,242 në periudhën shtator - nëntor 2020.

Së fundmi talibanët kanë fituar kontrollin e disa distrikteve dhe pikave kufitare në gjithë Afganistanin, derisa një mori e bisedimeve për paqe me Qeverinë afgane në Katar kanë dështuar që të shënojnë ndonjë përparim përmbajtësor.

Ndonëse bisedimet janë bllokuar, ushtria amerikane ka vazhduar të largojë trupat e veta.

Duke cituar të dhënat nga forcat amerikane, si dhe ato të NATO-s në Afganistan, në raport është përmendur se rritja e shkallës së luftimeve ka ndikuar në 1,058 persona të vdekur dhe 1,959 të plagosur në çerekun e tretë të vitit të kaluar.

“Në përgjithësi, trendi është shumë i pafavorshëm për Qeverinë afgane, e cila mund të përballet me krizë ekzistenciale, nëse situata nuk adresohet”, ka thënë Johns, Sopko, Inspektor Gjeneral.

Në raport është thënë edhe se forcat qeveritare afgane “janë dukur të befasuara dhe jo të gatshme” për t’u përballur me ofensivën intensive të militantëve.

SHIKONI EDHE: Watkins: Përmes tërheqjes, SHBA-ja e pranoi me vonesë se nuk i arriti qëllimet në Afganistan

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.