AUV urdhëron tërheqjen e produkteve të markës “Wudy”

Fotografi ilustruese.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV), ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të të gjitha llojeve të produkteve të markës “Wudy”(sallam, virshlle).

AUV-i ka ftuar qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos i konsumojnë produktet e kësaj marke, për shkak se dyshohet se në to ka prani të një lloj bakteri.

Më 21 shtator edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri, ka njoftuar qytetarët që të mos i konsumojnë produktet e kësaj marke, për shkak që, siç është thënë, ato "paraqesin rrezik me ndikim serioz për shëndetin e njeriut”.

“AUV-i menjëherë pas marrjes së informatës nga media se në produktet e prodhuesit AIA brendi ‘Wudy’, vendi i origjinës Itali, dyshohet për prani të bakterit Listeria në disa lloje prodhimi, ka filluar gjurmimin për identifikimin e të gjitha llojeve të produktit të importuar në Kosovë nga ky prodhues”, thuhet në përgjigjen e AUV-it dërguar Radios Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: Sa është i sigurt ushqimi në Kosovë?

Nëse ushqimet e kontaminuara me bakterin Listeria konsumohen, atëherë shkaktohen simptoma sikurse vjellja, diarreja, temperatura, ethet e dhimbjet e muskujve.

Ndërkaq, nga të dhënat e kontrollit kufitar dhe të dhënat e siguruara nga importuesi-distributori për Kosovë, është gjetur se disa nga këto produkte të markës “Wudy”, gjenden edhe në Kosovë.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë tha se urdhri për tërheqje të tërësishme të gjitha produkteve nga ky brend vlen deri në një vendim tjetër.