Autoritetet në Maqedoni të Veriut thonë se autostrada Shkup-Bllacë pritet të përfundojë brenda tre vjetësh, ndërkaq faza e parë e ndërtimit të kësaj autostrade, që e lidh me Kosovën, do të përfundojë gjatë vitit 2021. Por, afaristi Menderes Kuçi paralajmëron se vonesat në ndërtimin e kësaj autostrade, mund të shtyjnë Kosovën – partneren kryesore tregtare të Shkupit zyrtar – që të kërkojë tregje të reja.
Vonesat në ndërtimin e kësaj autostrade janë për shkak të shpronësimit të tokave në fshatin kufitar të Bllacës, ku u ngadalësua edhe ndërtimi i dy kilometrave të para të autostradës, ndonëse kontrata për ndërtimin e të njëjtës u nënshkrua në janarin e vitit 2020.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bllagoja Boçvarski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tregon se ka pasur shumë probleme në shpronësimin e tokave në fshatin Bllacë – përmes së cilës do të kalojë autostrada – dhe shton se tashmë janë zgjidhur mbi 90 për qind e problemeve të shpronësimit. Sipas tij, pranverën e vitit të ardhshëm pritet të intensifikohen punimet, me qëllim që të përfundojë faza e parë e ndërtimit të kësaj autostrade.
“Unë pres që me një dinamikë edhe më të madhe të punohet gjatë pranverës së vitit të ardhshëm dhe më 2021 të përfundojë tërësisht faza e parë e autostradës Shkup-Bllacë, që lidhet me autostradën në Kosovë”, thotë Boçvarski.
Ai thotë se gjatë vitit të ardhshëm do të shpallet tenderi për përzgjedhjen e kontraktuesit, që do të kryejë fazën e dytë të autostradës, që është në gjatësi prej 10,5 kilometrash, e që përfshin kryqëzimin nga Bllaca deri tek unaza që do ta lidhë autostradën me qytetin e Shkupit.
SHIKONI EDHE: Firmoset marrëveshja për autostradën Shkup-Bllacë“Për sa i përket fazës së dytë të ndërtimit, aty kemi projekt dhe kishim dilema nëse duhet ose jo të mbetet poligoni ajror Stenkovec, kështu që sipas bisedimeve të fundit që kisha, mbet që të ketë qarkore dhe poligoni të mos preket. Pra, është gjetur një zgjidhje e cila do të mundësojë ndërtimin më të shpejt të kësaj traseje rrugore. Ndërtimi i kësaj rruge do të kushtojë rreth 110 milionë euro, ndërkohë që nuk bëhet fjalë për shumë kilometra, por terreni është i vështirë, kështu që kërkohet kohë për të përfunduar punimet”, thotë ministri Boçvarski.
Megjithatë, afaristët në Maqedoninë e Veriut, thonë se këmbimi tregtar me Kosovën po vihet në rrezik për shkak të zvarritjeve të ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë.
Kjo autostradë pritet të lidhet me autostradën “Arbën Xhaferi” në Kosovë.
Afaristi Menderes Kuçi, njëherësh ish-kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, thotë se me ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, do të ulej kostoja e transportit të mallrave, e cila sipas tij tashmë është e lartë, për shkak të infrastrukturës së keqe rrugore.
“Alternativat po hapen, Kosova nuk do të ketë nevojë për ekonominë e Maqedonisë së Veriut, përkatësisht për hiret e Maqedonisë së Veriut se çka do të bëjë ajo me përmirësimin e infrastrukturës që lidh këto dy vende”, thotë ai.
“Kështu që ne po humbin në kohë dhe në hap sa i përket zhvillimit ekonomik sepse nuk jemi të zot të ndërtojmë 12 kilometra rrugë, me arsyetimin se ka probleme, se terreni është i vështirë. Por, pse s’kishte problem për Kosovën, që duhej të ndërtonte autostrada mbi lumenj, gryka të vështira, në një afat rekord, e për ne ka problem?”, pyet Kuçi.
SHIKONI EDHE: Inaugurohet autostrada “Arbën Xhaferi”Ai thekson se procedurat burokratike janë zgjidhur shumë më shpejtë, kur bëhej fjalë për ndërtimin e autostradave të tjera, brenda territorit të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, nga këto autostrada brenda territorit të shtetit, për më tepër, ka më pak përfitime ekonomike, por Kuçi thotë se ato janë ndërtuar në afate rekorde.
“Prioritet sa i përket investimeve në infrastrukturë duhet t’u jepen atyre akseve rrugore ku shteti ka më shumë leverdi ekonomike. Jo se jemi kundër ndërtimit të autostradës në pjesën lindore të vendit, por leverdi më të madhe për Maqedoninë e Veriut, përkatësisht për biznesin maqedonas, ka me Kosovën dhe asnjë shtet tjetër sepse në shtetet tjera ne jemi si importues, vetëm me Kosovën ne eksportojmë më shumë sesa importojmë. Por, kam frikë se mungesa e infrastrukturës do t’i detyrojë kosovarët që të gjejnë alternativa të tjera, ku humbës nga kjo do të jetë sektori i biznesit në Maqedoninë e Veriut”, shprehet Kuçi.
SHIKONI EDHE: Rritet importi i brendeve ndërkombëtare nga Maqedonia dhe ShqipëriaNdryshe, Kosova mbetet partnerja kryesore tregtare e Maqedonisë së Veriut, pasi është shteti me të cilin Maqedonia e Veriut eksporton më shumë mallra sesa importon. Vetëm në periudhën janar-tetor të vitit 2020, Maqedonia e Veriut ka eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej 190 milionë eurosh, ndërkaq ka importuar mallra në vlerë prej 26 milionë euro.