Autoritetet e Kosovës çmojnë lart rolin e gjeneralit amerikan Orr

Gjenerali amerikan, Timothy Orr nga Garda Kombëtare e Iowa-s

Autoritetet e Kosovës e kanë vlerësuar lartë figurën dhe rolin e gjeneralit amerikan, Timothy Orr nga Garda Kombëtare e Iowa-s, duke e cilësuar atë si një ndër personalitetet që ka ndikuar në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës.

Gjenerali amerikan po qëndron në vizitën e tij lamtumirëse në Kosovë, me ç’rast është pritur në takime të ndara nga presidenti, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. Po ashtu, ai do të vizitojë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Për nder të tij, Qeveria e Kosovës ka vendosur të stolisë sheshet e Prishtinës edhe me flamuj të Iowa-s, SHBA-së dhe Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një komunikate për media të lëshuar nga zyra e tij, ka theksuar se Gjenerali Orr paraqet personifikimin më të mirë të marrëdhënieve speciale ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s.

“Gjenerali Orr ishte gjithmonë përkrah nesh, në momentet më të veçanta për shtetin dhe popullin tonë. Edhe pas pensionimit të tij, gjenerali Orr mbetet një prej mbështetësve më të mëdhenj të Republikës së Kosovës. I jemi përjetësisht mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm në modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës!”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha pas takimit me delegacionin nga Iowa, i kryesuar nga gjenerali Orr, se partneriteti i ngushtë i Kosovës me shtetin e Iowa-s është reflektim i marrëdhënieve të çmuara që Kosova ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Gjenerali Timothy Orr, për tetë vjet ka qenë urë e fuqishme lidhëse për avancimin e bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet dy vendeve tona, posaçërisht në fushën e mbrojtjes”, ka theksuar Haradinaj.

“Lidershipi juaj ndihmoi që Kosova të jetë e sigurt dhe e mbrojtur dhe po ashtu të jetë një forcë për stabilitetin rajonal”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, Timothy Orr, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeminstrit të Kosovës ka falënderuar Haradinajn për mbështetjen e ofruar në raportet speciale ndërmjet Iowa-s dhe Kosovës.

“Kryeministri Haradinaj erdhi edhe personalisht për vizitë në Iowa për të parë punën dinamike që po bëhet, për vazhdimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes popullit të Iowa-s dhe popullit të Kosovës”, citon komunikata gjeneralin amerikan.

Në shenjë respekti për angazhimin ndaj Kosovës, kryeministri Haradinaj i dhuroi atij një koleksion artizanal të armëve të vjetra shqiptare të punuara në Kosovë.