Partia e Lirisë kundër imigrantëve i tejkaloi sondazhet dhe fitoi zgjedhjet kombëtare në Austri më 29 shtator.
Rezultati historik nxori në pah arritjet e ekstremit të djathtë në Evropë, por mund ta lërë atë në opozitë, pasi shumë parti tradicionale po përpiqen ta mbajnë jashtë Qeverisë.
Partia e Lirisë fitoi 29 për qind të votave të rreth 6 milionë votuesve. Partia Popullore në pushtet e kryeministrit Karl Nehammer doli e dyta me 26.5 për qind, ndërsa të tretët dolën Socialdemokratët e opozitës me 21 për qind.
“Tani është koha për një ndryshim, sipas mendimit tim”, tha për Radion Evropa e Lirë Lorenzi, një punonjës social në Vjenë.
“Unë dua që ajo të veprojë më shumë në nivel kombëtar. Sepse BE-ja... Kemi kaq shumë imigrantë të paligjshëm dhe ky është problem”, u shpreh ai.
SHIKONI EDHE: Fitorja e Partisë së Lirisë: A do të qeveriset Austria nga ekstremi i djathtë?Në zgjedhjet e 29 shtatorit, megjithatë, asnjë parti e vetme nuk e siguroi shumicën për Dhomën e Ulët të Parlamentit, apo Këshillin Kombëtar, që ka 183 vende, dhe bisedimet për ta formuar Qeverinë e re ka të ngjarë të zvarriten me javë ose muaj.
Shumica e partive të mëdha u zotuan se do t’i shmangin koalicionet me Partinë e Lirisë, e cila u bë partia e parë e ekstremit të djathtë që i fitoi zgjedhjet austriake që nga Lufta e Dytë Botërore.
Nehammer tha se Partia e tij Popullore konservatore nuk do ta sjellë në Qeveri udhëheqësin 55-vjeçar të Partisë së Lirisë, Herbert Kickl, por nuk e përjashtoi marrëveshjen për të qeverisur së bashku me të.
Pavarësisht udhëheqjes së vazhdueshme në sondazhe gjatë dy vjetëve të fundit, Kickl mbetet ndër politikanët më pak të njohur të vendit.
Presidenti Alexander Van der Bellen, ish-anëtar i Partisë së të Gjelbërve, i cili ka shprehur publikisht dyshime për Partinë e Lirisë, jep mandatin për formimin e Qeverisë së ardhshme.
Pas shpalljes së rezultateve, Van der Bellen tha se ai do të sigurojë që çdo qeveri t’iu përmbahet “themeleve të demokracisë sonë liberale”.
Kritikët e Partisë së Lirisë e akuzojnë atë për ksenofobi, racizëm dhe antisemitizëm dhe thonë se propozimet e saj nacionaliste dhe antimyslimane e minojnë kohezionin social.
Ata thonë se euroskepticizmi i saj kërcënon rolin e jashtëzakonshëm të Austrisë në Bashkimin Evropian dhe anshmëria e saj kah Moska i rrezikon përpjekjet e Perëndimit për ta ndihmuar Ukrainën që të luftojë kundër pushtimit të paprovokuar rus.
Partia e Lirisë u formua në vitet 1950 nga ish-nazistët dhe ajo ka premtuar se do të heqë dorë nga politikat e azilit dhe imigracionit.
“Jam e trishtuar dhe e zhgënjyer, sepse nuk është një shenjë e mirë që partia e ekstremit të djathtë ka rezultate kaq të mira”, tha për Radion Evropa e Lirë Karin, mësuese në Vjenë.
“Nuk është mirë për demokracinë, nuk është mirë për vendin, nuk është mirë për Evropën”, sipas saj.
SHIKONI EDHE: E djathta ekstreme fiton zgjedhjet në Austri për herë të parë, sipas rezultateve fillestareStepan, kamerier dhe student, i tha Radios Evropa e Lirë se do të donte që Partia Popullore të kishte dalë më mirë në zgjedhje.
“Unë mendoj se në Austri kemi një ndryshim të madh midis fshatrave dhe qyteteve në vota. Dhe po, fshatrat fituan këtë herë”, tha ai.
Partia e Lirisë dhe shumë parti homologe të krahut të djathtë, me popullaritet evropian, kanë kundërshtuar mbështetjen për Ukrainën dhe sanksionet kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të fqinjit të saj.
Fitorja e Partisë së Lirisë ndodhi pasi në zgjedhjet në Holandë, nëntorin e kaluar, fitoi Partia për Lirinë e ekstremit të djathtë e Geert Wildersit.
Your browser doesn’t support HTML5
Kjo u pasua me fitore të mëdha të partive populiste të krahut të djathtë në zgjedhjet kombëtare për Parlamentin Evropian në muajin qershor.
Më pas, e majta politike dhe qendra u detyruan të bashkëpunojnë në Francë, për t’ia pamundësuar fitoren Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë.
Dhe këtë muaj në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë kundër imigrantëve shënoi po ashtu fitore të mëdha në zgjedhjet e disa landeve.