Gjokoviq përballet me dëbim nga Australia

Tenisti serb, Novak Gjokoviq.

Tenisti serb, Novak Gjokoviq përballet me dëbim nga Australia, pasi Qeveria e këtij shteti për herë të dytë ia anuloi vizën. Me këtë vendim, është bërë e paqartë nëse tenisti numër një në botë në kategorinë e meshkujve do të mund garojë në turneun Australian Open, pavarësisht se është i pavaksinuar kundër koronavirusit.

Ministri i Migrimit i Australisë, Alex Hawke tha të premten se ai përdori fuqitë e tij ligjore për të anuluar vizën duke u thirrur në interes të publikut.

Avokatët e Gjokoviqit do ta apelojnë vendimin, siç bënë javën e kaluar, pasi tenistit iu anulua për herë të parë viza me të arritur në aeroportin e Melbërnit.

Apeli do të shqyrtohet para Gjykatës Federale të dielën. Gjykatësi Anthony Kelly e dërgoi këtë rast pranë Gjykatës Federale gjatë seancës dëgjimore që u mbajt të premten.

Gjatë një seance dëgjimore të mbajtur të premten u tha se Gjokoviqi nuk do të ndalohej apo dëbohej nga shteti gjatë natës, por ai do të duhet, që së bashku me avokatët e tij, të takohet me zyrtarët e migracionit në Melbërn të shtunën në orën 08:00, sipas kohës lokale.

Dëbimi nga Australia mund të çojë në tri vjet ndalesë për vizë në këtë shtet, por kjo ndalesë mund të hiqet, varësisht nga rrethanat.

Tenisti numër një në botë në kategorinë e meshkujve ishte paraparë që të luante në turneun Australian Open, që nis të hënën. Të gjithë personat që marrin pjesë në këtë turne, përfshirë lojëtarët, ekipet e tyre dhe shikuesit, kërkohet që të jenë të vaksinuar kundër koronavirusit.

“Sot ushtrova të drejtën time... për të anuluar vizën e Novak Gjokoviqit duke u thirrur në arsye shëndetësore, pasi ishte në interes të publikut që të veproja kështu”, tha ministri përmes një deklarate.

Njoftimi për anulimin e vizës erdhi pasi Gjokoviqi kishte stërvitur në një fushë në Melbërn, pa praninë e shikuesve.

Tenisti 34-vjeçar, Gjokoviq duke u stërvitur në Melbër më 11 janar 2022.

Gjokoviq ka fituar nëntë herë Australian Open dhe shpresonte që ta mbronte titullin javën e ardhshme. Ai shpresonte që ta fitonte këtë garë, me qëllim që të bëhej tenisti më i suksesshëm në histori të këtij sporti me një rekord prej 21 titujsh Grand Slam.

Fillimisht Gjokoviqit i ishte anuluar viza pasi arriti në Melbërn më 6 janar. Autoritetet kufitare gjetën se ai kishte “dështuar që të ofronte të dhëna të duhura” për një përjashtim mjekësor, që i mundësonte t’i shmangej rregullave për koronavirus.

Në Australi ka pasur zemërim të madh të publikut, pasi ky shtet ka pasur disa nga rregullat më strikte kundër pandemisë.

Gjokoviqi ishte ndaluar dhe kishte qëndruar për disa orë në aeroport ku kishte kaluar në kontrollet e migracionit. Më pas ai qëndroi disa ditë në një hotel të shndërruar në qendër për migrantë.

Disa ditë më vonë, një gjykatës hodhi poshtë vendimin e autoriteteve për anulimin e vizës dhe urdhëroi lirimin e tij, duke thënë në vendim se zyrtarët kufitarë kishin injoruar procedurat gjatë arritjes së Gjokoviqit në Australi.

Por, ministri Hawke të premten ia anuloi sërish vizën Gjokoviqit, duke përdorur fuqitë që dalin nga Akti për Migrim i Australisë.

Ky akti lejon dëbimin e kujtdo që ministri e sheh si rrezik potencial “për sigurinë shëndetësore apo rendit të komunitetit australian”, por megjithatë, Gjokoviq mund ta apelojë këtë vendim.

SHIKONI EDHE: Gjokoviq e pranon se ka shkelur masën e izolimit gjatë infektimit me koronavirus

Vendimi për anulimin e vizës vjen pasi Gjokoviqi foli për pretendimet se ai kishte bërë deklarime të rreme në formularin e udhëtimit – ku thuhej se ai nuk kishte udhëtuar në ndonjë shtet tjetër 14 ditë para se të arrinte në Australi. Në fakt, tenisti serb, në atë periudhë kishte udhëtuar për në Spanjë.

Ai tha se ky ishte një gabim i bërë nga agjenti e tij dhe e quajti “gabim njerëzor”, duke shtuar se nuk ishte i qëllimshëm.

Gjokoviq po ashtu e ka pranuar se është takuar me një gazetar dhe ka bërë sesion fotografish pasi kishte dalë pozitiv në COVID-19.