Austin: SHBA-ja është e shqetësuar me përshkallëzimin mes Izraelit dhe Hezbollahut

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. (Fotografi nga arkivi)

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka shprehur të premten përsëri shqetësimin për përshkallëzimin e situatës mes Izraelit dhe Hezbollahut, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij izraelit, Yoav Gallant.

Kjo ishte biseda e gjashtë telefonike mes tyre gjatë kësaj jave dhe Austin bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike të krizës.

Izraeli njoftoi të premten se e ka vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut dhe figura të tjera të rëndësishme të grupit militant libanez gjatë një sulmi ajror në Bejrut.

SHIKONI EDHE: Izraeli thotë se e ka vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut në Bejrut

Ky sulm ndodhi pas sulmeve dyditore ndaj këtij grupi, të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, gjatë të cilave pajisjet e komunikimit të anëtarëve të grupit, pejxherët dhe radiolidhjet, shpërthyen duke vrarë 37 persona dhe plagosur mijëra të tjerë.

Këto sulme besohet se janë kryer nga Izraeli, i cili as nuk e ka pranuar e as mohuar përfshirjen.

Pentagoni tha në një komunikatë se Austini ia përsëriti Gallantit "shqetësimin e tij për përshkallëzimin aktual të shkëmbimit të sulmeve midis Izraelit dhe Hezbollahut".

Më herët të premten, Gallant shkroi në X: "Veprimet në fazën e re do të vazhdojë derisa të arrihet qëllimi ynë: kthimi i sigurt i banorëve të veriut [të Izraelit] në shtëpitë e tyre."

Dhjetëra mijëra njerëz janë evakuuar nga të dyja anët e kufirit Izrael-Liban prej se Hezbollahu filloi të hedhë raketa drejt Izraelit më 8 tetor, në mbështetje të palestinezëve në Gaza, ku Izraeli është duke e luftuar Hamasin – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.

Më herët të premten, Hezbollah e goditi veriun e Izraelit me 140 raketa, një ditë pasi lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u zotua për hakmarrje ndaj Izraelit për shpërthimet vdekjeprurëse të pajisjeve të telekomunikimit në Liban këtë javë.

SHIKONI EDHE: Hezbollahu e godet veriun e Izraelit me 140 raketa

Hezbollahu edhe Izraeli kanë këmbyer zjarr pothuajse çdo ditë prej 8 tetorit, një ditë pasi nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Megjithatë, sulmi raketor i së premtes ishte më i madh se zakonisht.

Nasrallah u zotua të enjten për vazhdimin e sulmeve të përditshme ndaj Izraelit, pavarësisht sulmit vdekjeprurës të kësaj jave në pajisjet e komunikimit të anëtarëve të saj.