Atmosferë parazgjedhore në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Atmosfera parazgjedhore dhe mesazhet tipike të fushatës kanë filluar të karakterizojnë punën e Kuvendit të Kosovës.

Për seancën e së enjtes, ishte paralajmëruar që Kuvendi të fuste në rend dite me procedura të shpejtuara Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme.

Mirëpo, Komisioni për Legjislacion i cili ishte mbledhur para seancës së Kuvendit nuk ka arritur të siguronte kuorumin.

Kjo e pamundësoi procedimin e këtij ligji me kërkesën për shmangie nga rregullorja e punës dhe miratimin e tij me procedura të shpejtuara.

Sidoqoftë, edhe pa ligjin për zgjedhjet si pikë të rendit të ditës, deputetët kanë zhvilluar një seancë në atmosferë të një fushate ende të pashpallur.

Partitë opozitare në Kuvend kanë kritikuar kryeministrin Hashim Thaçi duke thënë se ai ka nisur fushatën para kohe.

Si argumente të këtyre kritikave ata kanë përmendur marrjen e disa vendimeve tani në fazën e fundit të mandatit, siç ishte rritje e pagave, kompensimi për punëtorët e Fabrikës së Gypave e vendime tjera.

Të gjitha këto vendime, opozitarët i cilësuan si fushatë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se me gjithë hovin që kreu i qeverisë po tregon, qeveria dhe ministrat e tij, të cilët munguan në mbledhjen e Kuvendit, po japin shembull të lodhjes së kësaj qeverie.

“Pas tri viteve që po kalon kjo qeveri është vonë që të vetëdijesohen dhe të bëhen të përgjegjshëm. Kjo është shumë e qartë dhe unë jam i vetëdijshëm. Por, sigurisht njerëzit që lodhen dihet që iu jepet pushim dhe si duket janë shumë të interesuar të pushojnë. Pas këtyre zgjedhjeve e më gjatë le të rrinë në shtëpi edhe i shohin në TV seancat pastaj”, ka thënë Beqiri.

I shpejtë ka qenë reagimi i shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.

Sipas tij, kryeministri dhe qeveria që ai drejton, po japin një shembull se si duhet qeverisur.

“Unë e them me përgjegjësi se kryeministri dhe ministrat janë shumë vital. Janë shumë të pushueshëm dhe janë shumë të përgatitur edhe për mandatin e ardhshëm qeverisës. Ne duhet t’i përkrahim këta ministra e këtë qeverisje dhe do të vazhdojmë kështu edhe në mandatin e ardhshëm”, ka thënë Grabovci.

Aktivitetet e fundit të kryeministrit Hashim Thaçi i ka cilësuar si fushatë tipike edhe deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli.

Ai ka thënë se shumë çështje kanë mund të zgjidhen qysh më herët, por se Thaçi i ka shtyrë këto vendime pikërisht për ditët e fundit të mandatit në mënyrë që të bëhen pjesë e fushatës zgjedhore, edhe pse ende të pashpallur.

“Tani ato që kryeministri i tematizoi për 7 vjet me radhë arriti ti fus në agjendë brenda 30 ditëve. Kryeministri po fluturon me suksese e premtime elektorale, por shtatë vjet gjumë si kryeministër e një muaj shpend janë pak për t’u mbajtur në mend si kryeministër i mirë”, është shprehur Topalli.

Nga atmosfera e fushatës së hershme zgjedhore, partitë politike në Kosovë shumë shpejt mund të përfshihen edhe në procesin e shpallur zgjedhor.

Pas miratimit të Ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme, i cili me gjasë do të aprovohet në seancën e radhës, zyrtarë të partive parlamentare flasin për mundësinë e nisjes së procedurave për shpërbërjen e Kuvendit dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat do të mund të mbaheshin gjatë muajit maj përkatësisht qershor.