Greqia mbështet fuqishëm Maqedoninë e Veriut, por edhe të gjithë Ballkanin Perëndimor në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian, ka deklaruar në Shkup, Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias.
Ai pas takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se “Greqia është dhe mund të jetë miku dhe bashkëpunëtori juaj më i mirë”, por shefi i diplomacies greke theksoi rendësinë që ka për dy vendet zbatimi i Marrëveshjes së Prespës.
Me këtë marrëveshje të arritur më 16 qershor të vitit 2018, dy vendet kanë zgjidhur mosmarëveshjet gati 20 vjeçare për kontestin e emrit të Maqedonisë së Veriut, e cila deri atëherë quhej, Republika e Maqedonisë.
“Zgjedhja që keni bërë për të qëndruar pranë nesh, për të ecur në rrugën drejt familjes së madhe evropiane është zgjedhja e duhur për të mirën e njerëzve tuaj. Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës duhet të vazhdojë. Ajo është baza për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe anëtarësimin e vendit në familjen evropiane”, ka deklaruar kreu i diplomacisë greke, Nikos Dendias, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
SHIKONI EDHE: Maqedonia e V. dhe Greqia arrijnë marrëveshje për gazsjellësinGreqia, tha ai, është e kënaqur me atë që është bërë deri më tani për zbatimin e marrëveshjes.
“Shumë hapa janë ndërmarrë, njëri prej të cilëve është heqja e tabelës para ndërtesës në të cilën ndodhemi, me emrin e mbretit Filip, babanë e Aleksandrit të Madh, sepse ne u pajtuam së bashku se atëherë paraardhësit tuaj nuk kishin mbërritur ende në Ballkan. Ata nuk kishin mundësi të luftonin nën udhëheqjen e Aleksandrit të Madh në thellësitë e Azisë. U ndryshua edhe emri i Muzeut Arkeologjik sikur edhe shenjat në pikat kufitare. Zbatimi i marrëveshjes nuk është një gjë burokratike, për këtë, ka një afat kohor”, ka deklaruar Dendias.
Sa i takon zbatimit të Marrëveshjes së Prespës nga pala greke, memorandumeve dhe komisionit të përbashkët për çështjet arsimore, shefi i diplomacies së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se “kjo është një marrëveshje që është baza e marrëdhënieve tona dypalëshe, arkitektura e re rajonale dhe është një proces i pakthyeshëm”. Ajo, thotë Osmani, “është në interes të vendit tonë dhe garanton perspektivën e vendit, të marrëdhënieve tona dypalëshe dhe askush nuk do të lejojë që Marrëveshja e Prespës të rrezikohet”.
“Ne ngritëm edhe çështjen e shenjave të trafikut në Greqi dhe diskutuam arsyet teknike për mospërmbushjen e atyre çështjeve në Parlamentin Grek dhe u dakorduam se si do të bëhet në periudhën e ardhshme. Sa i takon bordeve, shpjegimi është se autoritetet lokale janë ata që nuk tregojnë entuziazëm, por në lidhje me atë çështje ne biseduam më gjerësisht dhe mendoj se në periudhën e ardhshme do të ketë një zgjidhje për këtë çështje”, ka deklaruar Osmani.