Kurti: Kosova nuk frikësohet për zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se Kosova nuk frikësohet sa i përket zbatimit të Marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Duke folur pas vizitës në Prishtinë të të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Kurti tha se Qeveria e tij "është e kujdesshme" dhe "mbron interesat e vendit".

“Ne kemi dhënë propozimet tona në takimet që kemi pasur në Bruksel dhe jemi konstruktivë për bisedimet e ardhshme në dialogun që zhvillohet - i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Parimi i reciprocitetit është parim i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore”, tha Kurti gjatë vizitës në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Ai tha se në takim me dy diplomatët perëndimorë, nuk është biseduar për modelet rreth Asociacionit dhe shtoi se "të drejtat e pakicave në Kosovë janë të respektuara në nivelin më të lartë të standardeve evropiane".

Escobar dhe Lajçak, gjatë konferencës për media të mërkurën, thanë se nuk do të imponojnë modele për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja e arritur në vitin 2013 për krijimin e këtij asociacioni ishte një nga temat që diplomatët perëndimorë diskutuan me autoritetet kosovare, liderët e opozitës dhe shoqërinë civile, gjatë dy ditëve të fundit.

Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik, apo ndonjë gjë që duket si Republika Sërpska në Bosnje e Hercegovinë.

"Mos kini frikë nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t'ua imponojë. Jini të sigurt në vetvete, të vetëdijshëm për faktin se ju jeni bashkudhëheqës në këtë proces dhe jeni partnerë të barabartë", tha diplomati evropian, Mirosllav Lajçak.

Kurti, në anën tjetër, theksoi nevojën për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, e cila do të përfshinte "njohjen reciproke".

“Marrëveshja duhet të arrihet. Jemi të gatshëm që të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë, të bisedojmë për marrëveshje. Nuk bëjmë dialog për dialog. Jemi konstruktivë, jemi seriozë dhe njëkohësisht e vëmë theksin tek ajo, për të cilën po pajtohen gjithnjë e më shumë të gjithë faktorët ndërkombëtarë, e që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë [edhe] presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke", tha Kurti.

Takimi i fundit i Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, është zhvilluar në korrik të vitit të kaluar.

Escobar dhe Lajçak vazhdojnë sot vizitën në Serbi.

SHIKONI EDHE: Escobar dhe Lajçak: Nuk do të imponojmë modele për Asociacionin