ASHAK: Serbia mbetet faktor destabilizues në Ballkan

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në Prishtinë.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka shprehur brengë për situatën e krijuar në veri të vendit duke thënë se ajo është rezultat i “politikave pro-ruse që ndjek mbështetësi dhe frymëzuesi i bandave kriminale, Beogradi zyrtar dhe presidenti [Aleksandar] Vuçiq”.

Përmes një komunikate të lëshuar për media, ASHAK ka thënë se Serbia mbetet faktor destabilizues në rajon dhe dënoi aktet e dhunës në veri të vendit prej ku mbetën të plagosur 30 ushtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Situata në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, është tensionuar, prej kur Kosova instaloi me dhunë kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, më 26 maj.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

ASHAK thotë se është e domosdoshme që institucionet e Kosovës të përballojnë situatat e rrezikshme “në bashkëpunim dhe bashkërendim me aleatët”, për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe të paqes e të sigurisë në rajon.

“Ne mbështesim fuqishëm aleancën e popullit të Kosovës me Perëndimin dhe aleatët e saj natyrorë, të përcaktuar për anën e drejtë të historisë”, thuhet në komunikatë.

SHIKONI EDHE: Kurti: Nuk dua të krijoj struktura paralele në veri të Kosovës

ASHAK i kundërpërgjigjet SANU-së

ASHAK-u, po ashtu iu kundërpërgjigj deklaratave të një dite më parë të bëra nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë (SANU), e cila i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “sa më shpejt të ndërmarrë hapa për të garantuar të drejtat themelore demokratike dhe njerëzore të popullit serb” në Kosovë, si dhe për të “siguruar paqen, sigurinë dhe jetë normale për të gjithë njerëzit që jetojnë atje”.

Bordi Ekzekutiv i SANU-së, të martën e 30 majit tha se "ata të cilëve u është besuar nga Kombet e Bashkuara të kujdesen në mënyrë të paanshme për paqen e të gjithë qytetarëve në Kosovë kanë marrë pjesë në dhunën ndaj qytetarëve të kombësisë serbe”.

“Me këtë rast shprehim keqardhjen tonë të thellë që Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve (SANU), hartuese e ‘Memorandumit’ dhe ideatore e ‘botës serbe’, paraqitet sërish në publik me deklaratat e saj të zakonshme nacionaliste, duke e nxitur konfliktin dhe duke i quajtur zhvillimet në veriun e Kosovës dhe sulmet e bandave kriminale serbe mbi ushtarët e KFOR-it si ‘dhunë mbi popullin serb’”, tha ASHAK.

SHIKONI EDHE: Simbolet e pushtimit rus në automjetet e Policisë dhe të KFOR-it në veri

Paradigma “bota serbe”, që është ekuivalente me “botën ruse” e ka burimin tek ideologjia nacionaliste serbe, e cila synonte krijimin e një shteti serb me përfshirje të të grithe serbëve në Ballkan.

Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, të cilit i referohet ASHAK-u, i hartuar në vitin 1986, është vlerësuar si dokumenti më i rëndësishëm për të vënë në lëvizje idenë e “botës serbe”, e cila iu ofrua si koncept ideologjik Sllobodan Millosheviqit, mbi parimin se të gjithë serbët duhet të merren nën mbrojtje dhe se ku ka serbë, është Serbi.

“Akademia Serbe do të duhej të ndalojë të ‘prodhojë ide’ dhe të hartojë politika që destabilizojnë Kosovën dhe mbarë hapësirën ballkanike”, thuhet në reagimin e ASHAK.

Ky institucion shprehu mirënjohje për ushtarët paqeruajtës të KFOR-it dhe për vendimin për shtimin e kontingjentit me 700 trupa të reja në Kosovë.