Më shumë se 20 mijë tonë barna pa afat, të cilat janë jashtë përdorimit, qëndrojnë nëpër depo të ndryshme në Kosovë. Kjo përllogaritje është bërë në bazë të një punimi ndërkombëtar në vitin 2018. Prej atëherë nuk është asgjësuar asnjë ilaç, kështu që tani besohet se sasia është edhe më e madhe.
Një sasi kaq e madhe e barnave pa afat nëpër depo, rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.
Kryeinspektori i Inspektoratit Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë, Shaban Osmanaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se mosasgjësimi i barnave pa afat lidhet me paqartësitë që kanë të bëjnë me çështjet ligjore për asgjësim.
Ai thotë se bëhet fjalë për barna të cilat lirojnë gazra dhe rrezikojnë ambientin, barna shpuese që rrezikojnë punëtorët që merren me to si dhe barna të cilat hidhen në vende joadekuate e që rrezikohet uji.
“Sigurisht se mosasgjësimi i barnave është shumë i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve. Prej pas luftës, ka barna që nuk janë asgjësuar dhe rrinë nëpër depo. Një aksion është ndërmarrë në vitin 2008, prej Ministrisë së Shëndetësisë dhe asgjësimi ka qenë i paqartë dhe është ndërprerë”.
SHIKONI EDHE: Probleme me asgjësimin e barnave pa afat“Asgjësimi i barnave nuk është i kundërligjshëm, por nuk është i qartë, pasi rregullohet me tre ligje. Ligji për shëndetësi, ai për produkte dhe pajisje medicinale dhe Ligji për mbeturina. Shikuar nga ky këndvështrim është kërkuar të bëhet ndryshimi i ligjit aktual dhe është krijuar grupi për koncept-dokumentin për mbeturina, i cili është në fazën përfundimtare. Pa u rregulluar çështja ligjore, këto barna nuk mund të asgjësohen”, thotë Osmanaj.
Vetëm në depot e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale, llogaritet se ka deri në 8 tonë barna pa afat, por gjithashtu barna ka edhe në depon qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë e edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Së fundmi edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është evidentuar një sasi e konsiderueshme barnave me afat të skaduar, të cilat, sipas Shpend Fazliut, zëdhënës i këtij institucioni, tashmë janë izoluar, dhe siç thotë ai, nuk paraqesin rrezik për jetën e njeriut.
Megjithatë, ai thotë se po presin që të asgjësohen këto barna, pasi që ato nuk janë të vetmet pa afat që qëndrojnë në këtë depo.
“Në barnatoren Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është evidentuar një sasi e barnave pa afat dhe ato janë izoluar. Që të gjitha janë regjistruar nga komisionet e veçanta, në kuadër të Barnatores Qendrore dhe për të gjitha i është raportuar Inspektoratit Farmaceutik që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Në momentin që Ministria e Shëndetësisë kontrakton një kompani, do të fillojë asgjësimi i barnave. Këto barna janë të izoluara dhe nuk rrezikojnë shëndetin e qytetarëve apo pacientit. Është një sasi e barnave të grumbulluara edhe më herët. Të gjitha janë të raportuara”, tha Fazliu.
SHIKONI EDHE: Barnat e kontrabanduara, me afat të skaduar dhe të rrezikshmeSidoqoftë, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, patën thënë se çështja e asgjësimit të barnave është rregulluar me një akt nënligjor, përkatësisht me një udhëzim administrativ, i cili në hollësi i përcakton kushtet me të cilat bëhet asgjësimi i barnave në Kosovë.
“Kjo gjë mund të bëhet në institucionet e licencuara për këtë çështje dhe në bazë të kontratave të veçanta të institucioneve shëndetësore, lidhen edhe kontrata të veçanta. Udhëzimi administrativ e parasheh edhe shkatërrimin e barnave në Sharrcem, Ferronikel apo në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku krijohen temperatura të larta, të cilat e mundësojnë shkatërrimin pa pasoja për mjedisin. Por, të gjitha këto duhet rregulluar me kontrata të veçanta”, patën thënë zyrtarë në këtë ministri.
Megjithëkëtë, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka bërë kontratë me ndonjë kompani, për asgjësimin e barnave, ndonëse thuhet se janë grumbulluar mbi 20 mijë tonë barna pa afat.