Një piktore izraelito-ukrainase, e njohur për imazhet e fëmijërisë së saj në Kiev, po pikturon luftën që po zhvillohet tani në atdheun e saj.
Zoya Cherkassky-Nnadi thotë se më 24 shkurt, teksa shikonte lajmet për raketat dhe tanket ruse në Kiev nga shtëpia e saj në Izrael, ndihej sikur kujtimet e saj po pushtoheshin. Menjëherë pas, artistja filloi të pikturonte pushtimin e Ukrainës nga Rusia, në imazhe që i referohen serisë së saj të famshme ‘Fëmijëria Sovjetike’.
Cherkassky-Nnadi tha për mediat izraelite se ajo ka qenë në Ukrainë vetëm katër muaj para se të niste pushtimi, për të kërkuar peizazhe dhe skena të njohura, që do të mund t’i përdorte në pikturat e ardhshme, për të përshkruar fëmijërinë e saj.
Artistja izraelito-ukrainase kishte të afërm në Ukrainë kur shpërtheu lufta në shkallë të gjerë. Pasi priti të shihte nëse situata do të përmirësohej, motra e saj përfundimisht vendosi të ikte nga Ukraina për në Moldavi. Më 4 mars, motra e artistes, dy mbesat dhe dy stërmbesat arritën në Izrael.
Tani, izraelito-ukrainasja po mbledh para për Kryqin e Kuq të Ukrainës përmes shitjes së artit të saj. Në një koment në Facebook, së voni, ajo tha se "trupi im është në Izrael, por unë jam në Ukrainë".
Cherkassky-Nnadi ishte 14 vjeçe kur u largua nga Kievi me familjen e saj për një jetë të re në Izrael. Ata u larguan vetëm dy javë para rënies së Bashkimit Sovjetik, në vitin 1991. Artistja, nga ajo kohë, jetoi në Berlin dhe Tel-Aviv.
Edhe pse seria e saj mbi 'Fëmijërinë Sovjetike' është në vazhdim, Cherkassky-Nnadi thotë se shpreson që pikturat e luftës në Ukrainë të jenë një projekt jetëshkurtër.