Italia tha se ka rikthyer 266 artefakte antike në vlerë prej dhjetëra milionë euro nga Shtetet e Bashkuara, ku ishin dërguar për t’u shitur nga një rrjet ndërkombëtar i kontrabandës me artefakte.
Në këto artefakte, që më e vjetra daton në shekullin 9 para lindjes së Krishtit, përfshihen edhe ato të periudhës së qytetërimit etrusk, Magna Graecisë dhe Perandorisë së Romës.
Përmes një deklarate të një njësiti të specializuar të policisë italiane u tha se rikthimi i artefakteve u bë falë bashkëpunimit të autoriteteve gjyqësore mes Italisë dhe SHBA-së.
Në fotografitë e postuara nga Ministria e Kulturës së Italisë të artefakteve u shfaqën edhe disa enë të pikturuara, koka e një statuje dhe disa monedha. Këto artefakte më herët gjatë kësaj jave ishin ekspozuar gjatë një ceremonie të mbajtur në Nju Jork.
Në deklaratë u tha se 145 pjesë artefaktesh janë marrë si pjesë e procedurave të bankrotimit kundër një tregtari të gjësendeve antike.
Në deklaratë po ashtu u tha se 65 artefakte të tjera janë marrë nga koleksioni i muzeut Menil, që gjendet në qytetin amerikan të Hjustonit.