Në Maqedoninë e Veriut, të hënën (30 gusht) në mbrëmje, ka arritur grupi i afganëve, të cilët Qeveria në Shkup ka vendosur t'i strehojë përkohësisht derisa t'iu rregullohen dokumentacionet për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara.
Grupi përbëhet nga 149 qytetarë afganë, kryesisht persona që kanë punuar në organizatat ndërkombëtare, si dhe familjet e tyre.
Ata ndjeheshin të rrezikuar pasi talibanët morën kontrollin mbi tërë territorin e Afganistanit.
Maqedonia e Veriut ka thënë se do të strehojë gjithsej 750 afganë.
Grupi i parë ka arritur në aeroportin e Shkupit rreth orës 23.30 ndërsa u prit nga Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Solidaritetin që e kemi demonstruar ditëve të fundit, sonte e dëshmuam edhe në vepër. Sonte arriti grupi i parë i afganëve, që ishin të angazhuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare me të cilat kemi punuar ne dhe aleatët tanë perëndimorë. Ata pa fajin e tyre ishin të rrezikuar vetëm e vetëm pse ishin të angazhuar për demokratizimin e Afganistanit andaj edhe ne vendosim ti strehojmë deri sa nuk arrijnë në destinacionin e tyre të fundit”, ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
SHIKONI EDHE:
Përfundon tërheqja amerikane nga AfganistaniAi tha se institucionet janë të gatshme për të pritur edhe grupet tjera, por nuk mundi të saktësoj se kur ata mund të arrijnë në Shkup.
Afganët me autobus special u dërguan në dy hotele jashtë qendrës së Shkupit ku edhe do t'i nënshtrohen kontrolleve shëndetësore dhe testeve për COVID-19. Në mesin e grupit kanë qenë edhe disa gra shtatzëna, dhe njëra prej tyre është dërguar në Spitalin e Shkupit.
Vendimi për pranuar civilët afganë kishte nxitur reagime të shumta nga disa parti opozitare, por reagime kishte edhe në rrjetet sociale, duke i vlerësuar ata si të rrezikshëm për sigurinë e vendit.
Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev, ka siguruar qytetarët, se vendi jo që nuk rrezikohet, por me vendimin për strehimin e afganëve, ka dëshmuar humanitetin duke u rreshtuar pranë shteteve të tjera që po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetët e njerëzve të pafajshëm.
“Ne e dimë sa e rëndësishme është ndihma që i jep dikujt kur të shtrinë dorën. Ne kemi parë imazhet e trazirave, marrjen e jetës së njerëzve, skena të tmerrshme. Pra, qëllimi ynë përfundimtar është të ofrojmë ndihmën tonë”, ka deklaruar Zaev.
Në Afganistan kishte edhe rreth 100 shtetas maqedonas, të angazhuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare, por të gjithë janë kthyer në vend.
Maqedonia e Veriut ka marrë pjesë në Afganistan edhe me trupa ushtarake. Që nga viti 2002, në kuadër të trupave të NATO-s, kanë marrë pjesë rreth 3,500 ushtarë maqedonas.