Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi të enjten se ka arritur marrëveshje me Izraelin për ndërprerje të kufizuara të luftimeve në Rripin e Gazës, në mënyrë që të mundësohet vaksinimi i qindra mijëra fëmijëve kundër poliomielitit.
Një foshnje u infektua me poliomielit së voni, duke u bërë rasti i parë i konfirmuar me këtë sëmundje në 25 vjetët e fundit në territorin palestinez.
Fushata e vaksinimit, e përshkruar si “pauzat humanitare”, do të zgjasë nga tri ditë në pjesë të ndryshe të Gazës dhe do të fillojë të dielën nga Gaza qendrore, tha Rik Peeperkorn, përfaqësuesi i OBSH-së për territoret palestineze.
Pas përfundimit të fazës së parë, faza e dytë do të nisë në jug të Izraelit ku do të ketë ndërprerje të luftimeve për tri ditë, ndërsa faza e tretë do të zhvillohet në veri të Gazës, tha ai.
Ai tregoi se ndërprerjet në luftime do të zgjasin nga tetë deri në nëntë orë në ditë.
SHIKONI EDHE: Sfidat kryesore në negociatat për armëpushim në GazëPeeperkorn tha se qëllimi është të vaksinohen 640.000 fëmijë nën moshën 10-vjeçare dhe se për fushatën e vaksinimit janë koordinuar me autoritetet izraelite.
OBSH-ja ka thënë se duhet të vaksinohen 90 për qind e fëmijëve në Gazë për ta parandaluar përhapjen e poliomielitit.
“Ne kemi nevojë për këtë pauzë. Kemi marrëveshje për këtë dhe presim që të gjitha palët t’i përmbahen asaj”, tha ai.
Këto pauza humanitare nuk janë armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ndërmjetësit SHBA, Egjipti dhe Katari ka kohë të gjatë që po kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim. Bisedimet janë duke vazhduar edhe këtë javë.
Hamasi është “i gatshëm të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare për ta siguruar këtë fushate”, tha Basem Naim, anëtar i zyrës politike të Hamasit.