Policia e Kosovës ka arrestuar më 15 dhjetor një person nga komuniteti serb, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile, është thënë në një komunikatë për media të këtij institucioni.
Arrestimi i tij është thënë të jetë bërë bazuar në deklaratat e dëshmitarëve dhe informacioneve në rrugë operative.
Me vendim të prokurorit, i ndaluari është dërguar në mbajtje.
Prokuroria Speciale tha se ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit për të dyshuarin, të identifikuar me inicialet S.T.
Sipas prokurorisë, ai dyshohet se ka marrë pjesë në vepra që lidhen me keqtrajtim, maltretim, plaçkitje, vrasje të civilëve dhe shpërngulje me dhunë të banorëve të Vushtrrisë gjatë vitit 1999.
“Dyshimet e Prokurorisë Speciale konsistojnë në faktin se i pandehuri S.T. së bashku edhe me persona të tjerë të uniformuar ka marrë pjesë në në ofensivën ushtarake të datës 06.04.1999, në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në ofensivën e datës 02.05.1999, në qytetin e Vushtrrisë", u tha në njoftim.
Ndërkohë, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se i arrestuari është ish-polici serb, Sllagjan Trajkoviq.
“Si po shfaqen papritmas provat kundër serbëve, sapo u larguan nga institucionet, e që nuk ekzistonin derisa ishin pjesë e institucioneve të Kosovës", ka shkruar Petkoviq në Twitter.
Që nga fillimi i muajit nëntor, pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës në katër komunat e banuara me shumicë serbe, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.
SHIKONI EDHE: Armët ilegale dhe pasiguria në veriNë luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj dhe në Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të territorit të saj.