Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar të hënën një shtetas të Kosovës me kombësi malazeze, nga fshati Vitomiricë në Pejë, i dyshuar se ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë.
Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe më datën 7 maj të vitit 1999 në rajonin e Pejës, ku u vranë nëntë civilë shqiptarë dhe u zhdukën pesë tjerë. Personi me inicialet M.D. dyshohet se ka marrë pjesë në krimin.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, për t’u dërguar para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, brenda afatit ligjor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
SHIKONI EDHE: Kosova arreston një serb të dyshuar për krime lufteQë nga përfundimi i konfliktit të armatosur në Kosovë, nga Gjyqësori vendor dhe ndërkombëtar janë dënuar rreth 70 persona për krime të luftës. Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë 13, 518 persona, kurse më shumë se 1,600 janë ende të pagjetur.
Rasti i fundit i ngritjes së një aktakuzë për krime lufte në Kosovë ishte më 03 qershor, 2022 kundër një të pandehuri me inicialet , Ç.J i nacionalitetit serb.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).
Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore.
Këto raste penale tani janë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të Kosovës.