Policia kosovare e ka arrestuar të premten një të dyshuar për huliganizëm dhe prishjen e rendit kushtetues të Kosovës, njoftoi Prokuroria Speciale e vendit. Lista Serbe tha se i arrestuari është serb nga veriu i Kosovës dhe e dënoi arrestimin e tij.
I dyshuari, me inicialet M.D., u arrestua në rajonin e Mitrovicës pas një hetimi disamujor dhe do të mbahet në paraburgim për 48 orë, tha Prokuroria.
Ai dyshohet për disa vepra penale si, bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmit, dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Prokuroria nuk tregoi në njoftimin e saj se ku dhe kur i ka kryer veprat e pretenduara i dyshuari.
Por, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, tha më vonë në një reagim se i arrestuari është banor i një fshati në Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe.
Ajo e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për arrestimin e tij “kundër garancive të dhëna nga përfaqësuesit ndërkombëtarë të SHBA-së dhe BE-së”, pa shpjeguar çfarë garancish.
Dhjetëra persona janë arrestuar deri më tani për vepra të ngjashme penale në lidhje me sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it, por shumica e tyre u liruan për t’u mbrojtur në liri.
SHIKONI EDHE: Një muaj paraburgim për një të dyshuar për huliganizëm në veriProtestat e serbëve në veri të Kosovës në maj 2023, kundër kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR-it një vit më parë.
Gjatë përleshjeve u lënduan 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda.
Për shkak të dhunës në veri majin e vitit të kaluar, por edhe sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator, KFOR-i rriti praninë ushtarak në Kosovë dhe tani ka rreth 4.700 ushtarë.
KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.