Arrestohet edhe një i dyshuar për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan

Foto nga përleshjet në Zveçan më 29 maj 2023.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar serb nga Mitrovica e Veriut për përfshirje në sulmin e 29 majit në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor mbi dyshimet se “është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj”.

Atë ditë, të lënduar kishin mbetur rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë tentimeve për t’i shpërndarë protestuesit e grumbulluar pranë objektit komunal në Zveçan.

Ushtarë të lënduar të KFOR-it në Zveçan

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka identifikuar të arrestuarin si Nenad O. Sipas tyre, arrestimi i tij është dëshmi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk dëshiron dialog apo paqe, por të dëshiron të arrestojë të gjithë serbët dhe të provokojë konflikte jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon”.

Në anën tjetër, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se "secili që ka organizuar dhe ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë".

Më 31 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte bërë të ditur se është vendosur masa e paraburgimit për një muaj për dy persona të arrestuar gjatë përleshjeve në Zveçan para dy ditëve.

Ndaj arrestimit të fundit ka reaguar edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, duke e cilësuar atë si "rrëmbim" të "një tjetër serbi të nderuar".

Lista Serbe u kërkoi Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) "të vendosin forcat e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të garantojnë paqen dhe sigurinë për të gjithë qytetarët".

SHIKONI EDHE: Një muaj paraburgim për dy persona të arrestuar gjatë përleshjeve në Zveçan

Protestat në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok në veri të Kosovë – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Ndërsa, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.

Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si rrëmbim. Ndaj tyre, autoritetet serbe kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Për ta qetësuar situatën në veri, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ftoi në takim më 22 qershor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata u tha se janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë thuhet tutje se ky veprim po saboton kërkesat e Përfaqësuesit të Lartë të Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në takimin e 22 qershorit.

SHIKONI EDHE: Borrell për veriun: Zgjedhje të reja sa më shpejt dhe me pjesëmarrje të plotë