Shtatë persona janë arrestuar, të enjten, më 03 mars, në kuadër të aksionit të quajtur “Brezovica 3” të Prokurorisë Themelore të Ferizajt”, ka njoftuar për Radion Evropa e Lirë, Vjosa Baftiu, zyrtare për komunikim në këtë institucion.
“Deri më tash janë arrestuar shtatë persona, tre ish- zyrtarë të Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër persona, pronarë të kompanive private”, ka thënë ajo.
Personat e arrestuar, ka thënë Baftiu, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit.
Baftiu ka bërë të ditur se aksioni është duke u zhvilluar në 12 lokacione të ndryshme në katër komuna të Kosovës, përkatësisht në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan, por nuk ka dhënë detaje se cilës komunë i përkasin personat e arrestuar.
Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”
Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
Kurse, në aksionin e muajit janar janë arrestuar katër persona, përfshirë edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
SHIKONI EDHE: Ngrihen afër 6 milionë euro në rastin “Brezovica”Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si "Brezovica".
Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.
Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.
Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.