Arrestohet një burrë i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes

Logoja e Policisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar një person me iniciale N.M. që dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e bashkëshortes së tij.

Policia dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmuan po ashtu se është arrestuar edhe dorasi G.P, si dhe i dyshuari i tretë me iniciale K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Portali “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se i dyshuari e ka pranuar para hetuesve policorë se e ka porositur vrasjen e gruas.

Liridona Murseli, 30 vjeçe, u gjet e vrarë në një veturë të mërkurën vonë në rrugën "Dalip Alshiqi" në kryeqytet.

Lexoni edhe këtë: Vritet një grua në Prishtinë

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu tha në një postim në rrjetin social Facebook se “njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili sipas dyshimeve ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje”.

“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, nënvizoi ajo.

Në një komunikatë për media, Policia tha se ka kryer bastisje në dy lokacione në Gjakovë, gjatë të cilave i arrestoi të dyshuarit dhe e sekuestroi "armën e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast".

"Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës".

Policia tha se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor dhe se "ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore".

"Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast", thuhet në komunikatë.