Policia e Shqipërisë ka arrestuar 23 persona në Kukës, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, derisa Prokuroria e Shtetit ka lëshuar 36 urdhër arreste.
Personat e arrestuar ishin pjesëmarrës në protestën e një dite më parë në Rrugën e Kombit në Kalimash, pranë sporteleve ku duhet të bëhet pagesa për taksën rrugore.
Kryeministri i Shqipërisë në një konferencë për media tha se kushdo që shkel ligjin do marr ndëshkimin e merituar, duke iu referuar protestuesve si “një tufë vandalësh”.
“Në ato kushte që ishin dje, policia ka bërë më të mirën e mundshme duke ruajtur gjakftohtësinë përballë një tufe vandalësh, të cilët, natyrisht, do të marrin të gjithë ndëshkimin që meritojnë”, tha Rama.
Megjithatë, Rama tha “5 eurot nuk negociohen”, ndonëse nënvizoi se Qeveria do të gjejë zgjidhje për banorët e zonës veriore të Shqipërisë për t’ua lehtësuar pagesën e tarifës.
“Në kontratë është parashikuar dhe duhet të artikulohet sipas kontratës, brenda gjashtë muajsh - gjë të cilën ne do ta bëjmë më shpejt dhe e kemi nisur këtë proces me kompaninë - sistemin e posaçëm për përdoruesit e rregullt, përdoruesit e shpeshtë. Përdoruesit e shpeshtë natyrisht janë ata që banojnë në atë zonë. Të tjerët janë përdorues të rrallë të rrugës”.
“Për banorët do të ketë një sistem të posaçëm që do t’u shërbejë të gjithë atyre që janë përdorues të rregullt të rrugës. Kjo do të thotë që do të mund të marrin abonim që vetvetiu redukton çmimin. Kjo është elementare”, u shpreh Rama.
Pjesëtarë të opozitës shqiptare kanë reaguar duke dënuar arrestimet dhe duke kërkuar lirimin e qytetarëve të arrestuar.
Lulëzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë reagoi duke i konsideruar “poshtërim publik” deklaratat e kryeministrit Rama.
Kreu i opozitës përmes një postimi në Facebook tha se “arrestimet nuk janë bërë për drejtësi, por për t’u hakmarrë, për të frikësuar dhe shantazhuar popullsinë e Kukësit dhe të Kosovës”.
Edhe Monika Kryemadhi, kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se “Represioni dhe dhuna ndaj protestuesve në Kukës është thjesht rishfaqje e arrogancës dhe frikës që ka pushtuar Edi Ramën këto 24 orët e fundit”.
Në anën tjetër, kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu në një konferencë për media të dielën kërkoi të “shtensionohet situata politikisht urgjentisht”.
Familjarët e të arrestuarve i kërkuan kryebashkiakut të mos takohet me kryeministrin shqiptar të hënën deri sa ata të lirohen. Zoti Shehu pranoi kërkesën dhe shtoi se ky ishte kushti i tij.
Kryeministri tha se do të takohej me kryetarin e Bashkisë së Kukësit si pjesë e takimeve për të informuar banorët e zonës rreth tarifës për të kaluar nëpër Rrugën e Kombit.
Të shtunën, qytetarët e Kukësit u mblodhën në protestë për të kundërshtuar taksën, të cilën ata e konsiderojnë shumë të lartë dhe shkatërruan tërësisht kabinat e pagesës së tarifës, duke i goditur me mjete të forta dhe duke ua vënë zjarrin.
Rruga e Kombit, autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, filloi të ndërtohej në vitin 2006 dhe përfundoi në vitin 2010, me ndërtimin e Tunelit të Kalimashit. Kostoja e kësaj rruge ishte rreth 2 miliardë euro.