Arrestime e rrahje që katër net në protestat në Gjeorgji

Protestuesit duke hedhur fishekzjarrë drejt policisë në natën e katërt të protestave kundër Qeverisë në Gjeorgji. Fotografi e 2 dhjetorit 2024.

Policia në Gjeorgji ka rrahur edhe shpërndarë dhunshëm protestuesit në kryeqytetin e vendit, Tbilisi, për të katërtën natë me radhë, teksa protestohet kundër njoftimit të kryeministrit të shtetit, Irakli Kobakhidze, se Qeveria e tij i ka pezulluar bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri më 2028.

Policët me maska në fytyrë kanë përdorur gaz lotsjellës e topa uji për të shpërndarë protestuesit afër ndërtesës së Parlamentit.

Të paktën 200 persona janë ndaluar deri më tani, duke përfshirë themeluesin e partisë opozitare Girchi-More Freedom, Zura Girchi Japaridze.

Kryeministri Kobakhidze ka thënë se presidentja Salome Zurabishvili duhet të largohet nga pozita që ka në vonë gjatë këtij muaji, kur t’i përfundojë mandati.

SHIKONI EDHE: Kryeministri i Gjeorgjisë thotë se presidentja duhet ta lëshojë postin

Ai e ka bërë këtë deklaratë teksa vazhdon të jetë aktual një kontest kushtetues, i lidhur me zgjedhjet kombëtare të muajit të kaluar, të cilat partia Ëndrra Gjeorgjiane pretendon se i ka fituar, parti në pushtet për më shumë se një dekadë.

Zurabishvili dhe partitë opozitare besojnë se janë kryer mashtrime dhe shkelje tjera në zgjedhje dhe refuzojnë të njohin parlamentin e ri.

SHIKONI EDHE: Presidentja e Gjeorgjisë e quan “jolegjitim” Parlamentin e vendit

Shumica e gjeorgjianëve mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe përpjekjet për t’u anëtarësuar në bllok janë të përfshira edhe në Kushtetutën e Gjeorgjisë.

Mirëpo një mori vendimesh të marra nga Ëndrra Gjeorgjiane përgjatë vitit, përfshirë një ligj që kritikët e quajnë “ligji rus” për shtypje të organizatave joqeveritare dhe mediave të huaja, si dhe një tjetër ligj kontrovers për të drejtat e komunitetit LGBT (lesbike, homoseksualë, biseksualë dhe trangjinorë), si edhe sulmet publike që i ka bërë Kobakhidze Perëndimit, kanë rritur frikën se Qeveria po e drejton shtetin kah orbita e Rusisë.

Qeveritë perëndimore kanë vënë shumë pikëpyetje për zgjedhjet parlamentare të tetorit, duke thënë se ka pasur shkelje dhe ndikim rus.

Gjeorgjia e ka fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2023, mirëpo marrëdhëniet me Brukselin janë tensionuar në muajt e fundit.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë në korrik se do të pauzojnë një ndihmë në vlerë të 95 milionë dollarëve për Qeverinë e Gjeorgjisë, dhe kanë paralajmëruar se ajo po e gërryen demokracinë në vend.