Arrestohen në Greqi dy agjentë maqedonas rreth aferës së përgjimit

Shkupi

Dy agjentë të lartë të policisë sekrete maqedonase janë arrestuar në Selanik të Greqisë, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur akuzat për përfshirje në aferën e përgjimeve. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë të Lidhjes Social-Demokrate në pushtet ndërsa pritet konfirmim edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Të arrestuarit janë, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, të cilët u kapën mbrëmë vonë, por nuk janë dhënë detaje tjera.

Ata janë të ngarkuar me akuza për shpërdorim të detyrës dhe shkatërrimin e pajisjeve me të cilat dyshohet se janë bërë përgjimet e paligjshme. Këto akuza janë ngritur nga Prokuroria Speciale në rastin e koduar “Titanik”. Gjykata Penale tre muaj më parë u kishte caktuar atyre masën e paraburgimit, por menjëherë pas këtij vendimi ata janë arratisur në drejtim të panjohur.

Duke komentuar procedurat e mëtejme, përfshirë edhe ekstradimin e tyre, eksperti për çështje të sigurisë, Lubomir Gjurçevski tha se tani duhet ndjekur procedurat që parashihen për ekstradim.

Fillimisht duhet të presim që Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet ndihmës juridike Ndërkombëtare apo nga shërbimet e INTERPOL-it, të njoftohet se personat me identitetin e caktuar janë arrestuar në Selanik. Kjo me qëllim të fillimit të procedurës së vërtetimit, fillimisht të identitetit të tyre të vërtetë. Këtu përfshihen dokumentet që i posedojnë institucionet vendase dhe të dhënat për personat në fjalë. E gjithë procedura mund të zgjasë deri në 30 ditë”, tha Gjurçevski.

Veç kësaj, policia në dy ditët e fundit ka ndaluar edhe disa persona tjerë, të përfshirë në dhunën më 27 prill në Kuvendin e Maqedonisë. Ata akuzohen për tentim vrasje të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Arrestimet vijnë dy ditë pas përfundimit të rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, të cilat u fituan nga partia e kryeministrit, Zoran Zaev.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Osman Kadriu, thotë se arrestimet mund të kenë lidhje edhe me zgjedhjet e fundit, pasi ato ndodhën menjëherë pas fitores së LSDM-së. Kadriu vlerëson se gjyqësori, duke e parë se më nuk është nën presionin e elementëve të Qeverisë së kaluar, ka nisur të bëjë kthesë serioze në punën e tij.

Gjyqësori nëse është në krye të detyrës, gjithmonë duhet të bëjë ndjekje penale për të gjithë kryerësit e veprës penale. Këtë gjithashtu duhet ta bëjnë edhe organet tjera, përfshirë edhe policinë. Vlerësoj se momenti kur janë bërë arrestimet, tregon se për këtë edhe janë krijuar kushtet që personat në fjalë janë të kapshëm për organet e ndjekjes penale”, thotë Kadriu.

Sipas tij, ky zhvillim “flet për një kthesë shumë të rëndësishme në gjyqësor”.

Arrestimet e fundit që ndërlidhen me dhunën në Kuvend si dhe arrestimet në Selanik, besohet se kanë një emërues të përbashkët, aferën e përgjimeve të publikuar nga kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, në shkurt të vitit 2015, që kishte shkaktuar krizën më të madhe politike, e cila kulmoi me protesta e tensione të shumta. Atë kohë tensionet politike ishin ngritur dukshëm, po ashtu edhe procese gjyqësore, ndërkohë që gjendja e tensionuar sikur i kishte “shtyrë” partitë politike shqiptare të arrinin marrëveshje. Krejt këto zhvillime, patën dërguar Maqedoninë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në dhjetor të vitit 2016, kur edhe ra na pushteti i VMRO DPMNE-së së Nikolla Gruevskit.

Ai akuzohet për përgjimin e dhjetëra mijëra qytetarëve të Maqedonisë, përfshirë edhe personalitete të shumta të jetës politike. Përmbajta e bisedave telefonike të zyrtarëve nxori në sipërfaqe ndërhyrjen e pushtetit të kaluar në gjyqësor, mashtrime zgjedhore, presione ndaj mediave, afera korruptive, e shkelje tjera ligjor.