Arrestohet një serb, dyshohet për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Fotografi ilustruese.

Policia e Kosovës tha se ka arrestuar një të dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq më 16 qershor.

Autoritetet thanë se arrestimi është kryer në orët e hershme të 19 qershorit në një fshat të Leposaviqit.

"Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë", u tha në njoftimin e policisë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka identifikuar të arrestuarin si Urosh Vukasinoviq.

Ai ka thënë se në tre ditët e fundit janë arrestuar tre persona për sulmet, që ai i ka quajtur brutale, ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu.

“Këta kriminelë, të cilët po marrin urdhra për këto sulme nga Beogradi, tashmë do të përballen me drejtësinë. Nuk do të ndalemi, çdo përgjegjës për dhunën dhe aktet kriminale ndaj gazetarëve, do të arrestohet”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.

SHIKONI EDHE: Dënohet sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq

Serbia dënon arrestimin e serbit në Leposaviq

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe e ka cilësuar si “vazhdim të torturës nga [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti”, arrestimin e serbit në Leposaviq, duke akuzuar kryeministrin kosovar se po përdor “të gjitha mjetet për të provokuar konflikt me popullin paqësor serb”.

“Urosh. V është arrestuar herët në mëngjes pasi ka shkuar në punë. Ai është arrestuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës me rroba civile, madje njëri prej tyre po voziste një veturë me targa KM”, u tha në reagimin e kësaj zyreje, e cila iu referua targave të makinave KM (Mitrovica e Kosovës) që lëshohen nga autoritetet serbe dhe konsiderohen ilegale nga Kosova.

Sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, i arrestuari është 28 vjeç “dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë kriminel”.

Edhe Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, ka reaguar pas këtij arrestimi. Kjo parti pyeti se pse komuniteti ndërkombëtar nuk po reagon.

“Në emër të popullit serb, kemi muaj që po apelojmë për paqe dhe për serbët në Kosovë dhe Metohi ka kohë që nuk ka paqe. Prandaj, pyetja e thjesht është nëse [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti është me të vërtetë më i fortë se KFOR-i, BE-ja, SHBA-ja, QUINT-i, OKB-ja apo ende në këtë dëbim të serbëve [nga Kosova] e ka mbështetjen e dikujt”, tha Lista Serbe.

Kjo parti nuk ka ofruar dëshmi se Kurti po synon që të dëbojë serbët nga Kosova.

Më 16 qershor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se ishte arrestuar Nemanja Vllashkoviq në Leposaviq, për sulmin ndaj gazetarëve të mediumit Kallxo më 29 maj.

Një ditë më pas, Sveçla tha se në pikëkalimin kuftiar në Jarinjë – që lidh Kosovën me Serbinë – për sulme ndaj gazetarëve u arrestua edhe Dalibor Spasiq.

SHIKONI EDHE: Sveçla: Arrestohet edhe një nga sulmuesit e gazetarëve në veri të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se që nga nisja e tensioneve në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, janë regjistruar 30 sulme ndaj punëtorëve të mediave.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur qysh më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë e KFOR-it në Zveçan. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

Situata u përkeqësua më 14 qershor pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se “arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”.