Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji për shtetasin serb, me iniciale D.A, i dyshuar për veprat penale: krime kundër popullatës civile dhe organizim i grupeve për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës.
Më herët gjatë 9 dhjetorit, Prokuroria Speciale njoftoi për arrestimin e D.A. për krime lufte.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale nuk janë dhënë detaje se në çfarë periudhe kohore dyshohet se janë kryer krimet apo në cilin lokacion.
Ndërkaq, në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se i arrestuari është shtetas i Serbisë.
Policia tha se arrestimi i tij është bërë në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.