Policia e Kosovës ka arrestuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj Bujupi.
Ata janë arrestuar në bazë të një urdhri për arrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në seancë gjyqësore.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka shkruar në rrjetin social Facebook se deputetëve, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj Bujupi u është shqiptuar masa prej 30 ditëve paraburgim.
“Prapë Klani Pronto me shokë e paterica. Të njëjtit që dje i dënuan aktivistët pa asnjë faj. Pa asnjë provë a bazë. Të njëjtit që po duan t'ua vjedhin fitoren qytetarëve në zgjedhjet lokale”, ka shkruar Ymeri.
Ndërkaq, edhe Gjykata Themelore e Prishtinës, i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë shqiptimin e paraburgimit prej një muaji për tre deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje,
“Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmon se dje me dt. 23.11.2017, me rastin e lëshimit të urdhëresës për ndalim, arrestim dhe dërgim në Qendërtë paraburgimit për të akuzuarit A.K, D.K-B dhe A.H , ju është bashkëngjitur edhe aktvendimi për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, ka thënë Mirlinda Gashi nga Zyra për Informim.
Një skenë dramatike ka ndodhur gjatë arrestimit me forcë të deputetit, Albin Kurti, në hyrje të Kuvendit të Kosovës, gjersa po shkonte në seancën plenare të Kuvendit.
Aty deputetët e Vetëvendosjes e kanë kundërshtuar arrestimin e tij, duke u shtyrë më policinë, e cila ka përdorur sprej djegës për t’i larguar ata.
Menjëherë pas arrestimit me forcë të Kurtit, ka reaguar Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai konfirmoi se të arrestuar janë edhe deputetët, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi. Sipas tij, veprime të tilla të organeve të drejtësisë dhe sigurisë, janë me prapavijë të qartë politike.
“Tre deputetë të Kuvendit të Kosovës – Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albin Kurti – u arrestuan në mënyrë brutale nga Policia e Republikës së Kosovës me urdhra politik, duke hyrë në seancë. Pra, tre deputetët ishin duke ardhur në seancën e cila është thirrur për sot”, tha Ymeri.
“Ky është edhe një rast, ose vazhdimësi e një përndjekje masive dhe gjithëpërfshirëse që ka filluar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, veçanërisht kohëve të fundit, me dënimin e katër aktivistëve tonë me 21 vite burg pa kurrfarë prove e dëshmie dhe pastaj me këtë vazhdim të këtij gjyqi të padrejtë karshi deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes në këtë rast, për shkak të protestës tonë meqë rast e mbrojtëm sovranitetin e republikës dhe integritetin territorial e vendit”, theksoi kryetari i Vetëvendosjes.
“Është e njëjta klikë e pushtetit e cila në njërën anë po synon që ta dhunojë votën e lirë të qytetarëve përmes vendimeve skandaloze që i pamë dje në PZAP dhe KQZ, dhe të cilët po vazhdojnë njëkohësisht ta përndjekin secilin aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje për shkak e po duan ta përndjekin dhe persekutojnë Lëvizjen Vetëvendosje në mënyrë që vullneti i tyre politik, e që është vullnet i lidhur me krimin e korrupsionin, të ngadhënjejë në Republikën e Kosovës.
Pas arrestimit të tre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka shprehur keqardhje për atë se çfarë u ka ndodhur deputetëve të Kuvendit.
Haradinaj ishte pjesë e opozitës kur me gaz lotsjellës po pengohej ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ai edhe tash beson se bashkë me Vetëvendosjen e kanë kundërshtuar me të drejtë atë marrëveshje, por ka këshilluar deputetët e Vetëvendosjes se ata duhet të paraqiten në gjykatë.
“Tani e vërteta është se kundërshtonim marrëveshjen që mbetet rrezik për Kosovën. Është rrezik politik. Ne mendojmë që ai rebelim i atëhershëm ka sjellë të mira, ndërsa qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës atëherë ka qenë që meqenëse është kundërshtim politik e jo ligjor, unë mendoj që deputetët që kanë kundërshtuar, nuk kanë pse të mos paraqiten në gjykatë. Ata s’kanë bërë asgjë që meriton me u fshehë. Të gjithë e kemi bërë me vetëdije kundërshtimin”, tha Haradinaj.
Your browser doesn’t support HTML5
(Video: Kuvendi i Kosovës, 19 shkurt, 2016)
Ndërkohë, edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se pamjet si këto nga arrestimi i Kurtit, nuk duhet të përsëriten.
“Unë besoj që ngjarjet e tilla dhe pamjet e tilla nuk duhet të përsëriten, por i ftoj të gjithë që t’i nënshtrohen sundimit të ligjit dhe t’i respektojnë organet e drejtësisë dhe të kërkojnë drejtësi përmes rrugëve ligjore e kushtetuese”, ka thënë Hoti.
Tre deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj Bujupi akuzohen, për siç thuhet, përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm, përkatësisht hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.
Në disa seanca, ata kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend për të penguar zhvillimin e seancave plenare, në të cilat ishte paraparë shqyrtimi dhe ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.