Reuters
Presidenti rus, Vladimir Putin, më 21 shkurt bëri një paralajmërim bërthamor ndaj Perëndimit lidhur me Ukrainën, duke pezulluar traktatin kyç të kontrollit të armëve. Ai njoftoi se janë aktivizuar sisteme të reja strategjike dhe paralajmëroi se Moska mund të rinisë testet bërthamore.
Por, sa i madh është arsenali bërthamor i Rusisë dhe kush e kontrollon atë?
SHIKONI EDHE: Perëndimi paralajmëron paqëndrueshmëri pas vendimit të Putinit për traktatin bërthamorSuperfuqia bërthamore
Rusia, që ka trashëguar armët bërthamore të Bashkimit Sovjetik, ka numrin më të madh të kokave bërthamore.
Putin kontrollon rreth 5.977 koka bërthamore, krahasuar me 5.428 sa i kontrollon presidenti amerikan, Joe Biden. Këto janë të dhënat e vitit 2022 të Federatës amerikane të Shkencëtarëve.
Rreth 1.500 prej këtyre kokave bërthamore nuk përdoren, por ka të ngjarë që ende janë në gjendje të mirë, 2.889 janë në stoqet rezervë dhe rreth 1.588 janë koka strategjike bërthamore të dislokuara.
SHIKONI EDHE: Për armët bërthamore: “Kurrë mos thuaj kurrë”Rreth 812 janë të vendosura në raketa balistike që lëshohen nga toka, 576 janë të vendosura në raketat balistike që lëshohen nga nëndetëset, dhe rreth 200 të tjera gjenden në baza të bombarduesve, thuhet në të dhënat e Buletinit të Shkencëtarëve Bërthamor.
Shtetet e Bashkuara kanë të dislokuara rreth 1.644 koka strategjike bërthamore. Sipas të dhënave të Federatës amerikane të Shkencëtarëve, Kina, ka 350 koka bërthamore, Franca 290 dhe Mbretëria e Bashkuar 225.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Këto shifra tregojnë se si Moska, ashtu edhe Uashingtoni, mund ta shkatërrojnë botën disa herë.
Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik kishte numrin më të lartë të kokave bërthamore, rreth 40.000 sosh, ndërkaq SHBA-ja kishte rreth 30.000 koka bërthamore.
Faktori kyç janë armët që bartin kokat bërthamore: raketat, nëndetëset dhe bombarduesit.
Rusia duket se ka 400 raketa bërthamore balistike ndërkontinentale që mund të bartin koka bërthamore. Sipas Buletinit të Shkencëtarëve Bërthamor, këto raketa mund të bartin deri në 1.185 koka bërthamore.
Rusia ka 10 nëndetëse që mund të bartin deri në 800 koka bërthamore. Po ashtu, ka 60 deri në 70 bombardues bërthamorë.
Armët e reja bërthamore
SHBA-ja në Rishikimin për Qëndrimin Bërthamor të vitit 2022 tha se Rusia dhe Kina po zgjerojnë dhe modernizojnë forcat e tyre bërthamore, dhe se Uashingtoni do të ndjekë një qasje të bazuar në kontrollin e armëve për të shmangur garën e kushtueshme të armëve.
Putin tha se ka informacion se SHBA-ja po zhvillon lloje të reja të armëve bërthamore.
Rusia është duke modernizuar armët e saj bërthamore.
Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991, pak shtete kanë testuar armë bërthamore, sipas Shoqatës për Kontrollin e Armëve. Shtetet e Bashkuara kanë kryer testin e fundit më 1992, Kina dhe Franca më 1996, India dhe Pakistani më 1998 dhe Koreja e Veriut më 2017.
Bashkimi Sovjetik kishte kryer testin e fundit bërthamor më 1990.
Kush jep urdhra për lëshimin e armëve ruse?
Presidenti rus është vendimmarrësi kryesor kur bëhet fjalë për përdorimin e armëve bërthamore ruse, si ato strategjike dhe jostrategjike, thuhet në doktrinën bërthamore të Rusisë.
E ashtuquajtura çantë bërthamore apo “Cheget” (e emëruar pas Malit Cheget në Malet e Kaukazit), është me presidentin gjatë gjithë kohës. Ministri rus i Mbrojtjes, që aktualisht është Sergei Shoigu, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, që aktualisht është Valery Gerasimov, po ashtu besohet se kanë çanta të tilla.
Në thelb, çanta është një mjet komunikimi që lidh presidentin dhe ushtrinë e tij dhe prej andej edhe me forcat raketore nëpërmjet rrjetit elektronik të komandës dhe kontrollit shumë sekret, Kazbek. Kazbek mbështet një tjetër sistem, që njihet me emrin Kavkaz.
Pamjet e shfaqura nga kanali televiziv rus, Zvezda, në vitin 2019 shfaqën atë që thuhej se ishte një nga çantat që kishte një sërë butonash. Në një seksion të quajtur “komandë” kishte dy butona: një buton i bardhë ‘lëshim” dhe një buton i kuq “anulim”. Çanta aktivizohet nga një kartë e posaçme, raportoi Zvezda.
Nëse Rusia do të mendonte se do të përballej me një sulm strategjik bërthamor, presidenti, përmes çantave, do t’i dërgonte një urdhër të drejtpërdrejtë për nisjen e sulmit komandës së Shtabit të Përgjithshëm dhe njësive komanduese rezervë që mbajnë kodet bërthamore. Urdhra të till kalojnë me shpejtësi në sisteme të ndryshme të komunikimit në njësitë e forcave të raketave strategjike, të cilat më pas sulmojnë SHBA-në dhe Evropën.
Nëse një sulm bërthamor do të konfirmohej, Putin mund të aktivizonte të ashtuquajturën “Dorë e Vdekur” ose “Perimetrin”, që është mjeti i fundit: që në thelb janë kompjuterët që vendosin fundin e botës. Një qendër komanduese për raketa do të urdhëronte sulme bërthamore nga i gjithë arsenali i madh i Rusisë.