Palestinezët e izraelitët i gëzohen marrëveshjes që synon t'i japë fund luftës në Gazë
Reagimi me gëzim i palestinezëve pas lajmeve për një marrëveshje armëpushimi me Izraelin, në Deir Al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, 15 janar 2025.
Të enjten u raportua se bombardimet izraelite i kanë vrarë dhjetëra njerëz në Gazën e rrënuar nga lufta.
Protestuesit që kërkonin kthimin e pengjeve izraelite, që u rrëmbyen gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit 2023 nga Hamasi, shihen duke u përqafuar pas lajmeve për armëpushim, Tel Aviv, Izrael, 15 janar 2025.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se kabineti nuk do të takohet për ta miratuar marrëveshjen derisa Hamasi të tërhiqet, pasi e akuzoi grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja se po shkel pjesë të marrëveshjes në përpjekje për të fituar më shumë koncesione.
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ndërmjetësi kryesor, Katari, njoftuan të mërkurën për arritjen e marrëveshjes, e cila parasheh lirimin e dhjetëra pengjeve izraelite në Gazë dhe ndaljen e luftës 15-mujore, që ka trazuar Lindjen e Mesme dhe ka nxitur protesta në gjithë botën.
Fytyra plot habi të fëmijëve palestinezë pas lajmeve për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Hamasit dhe Izraelit.
Ndërkohë izraelitët në Tel Aviv po protestonin duke kërkuar lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi.
Pjesëmarrësit mbajnë pishtarë gjatë protestës në mbështetje të pengjeve izraelite, që u rrëmbyen gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit 2023 nga Hamasi, Tel Aviv 15 janar 2025.
Palestinezët duke festuar për armëpushimin e arritur.
Punonjës të mediave shihen duke raportuar derisa palestinezët festojnë arritjen e armëpushimit.
Më herët, zyra e Netanyahut e akuzoi Hamasin se u tërhoq nga një mirëkuptim i mëparshëm që do t’i mundësonte Izraelit të vendoste se cilët të burgosur të dënuar për vrasje mund të liroheshin në këmbim të pengjeve.
Kryeministri izraelit, Netanyahu, është përballur me trysni të madhe brenda vendit për t’i kthyer në shtëpi dhjetëra pengje që po mbahen në Gazë, por partnerët e ekstremit të djathtë në koalicionin e tij kanë kërcënuar se do ta rrëzojnë qeverinë e tij, nëse ai bën shumë lëshime.
Ndërkohë, bombardimet izraelite kanë vrarë së paku 48 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Rreth gjysma e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë, tha për Associated Press Zaher al-Wahedi, kryetar i departamentit për regjistrim në këtë Ministri.
Një palestinez duke shikuar në ekranin e telefonit të tij raportimet për marrëveshjen Izrael-Hamas, në Dura, në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, 15 janar 2025.
Burra palestinezë duke festuar.
Hollësitë e marrëveshjes ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht, por ka një pasqyrë të asaj se si do të duket ajo bazuar në draftet e publikuara. Në fazën e parë do të nisë një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit trupat izraelite do të tërhiqen dalëngadalë nga qendra e Gazës.
Disa pjesëmarrëse në protestën në Tel Aviv, ndërkohë që u bë e ditur arritja e marrëveshjes Izrael - Hamas.
Fillimisht Hamasi do t’i lirojë 33 pengje – që pritet të jenë kryesisht gra, të moshuar dhe të sëmurë – në këmbim të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.
Faza e dytë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve të mbetura dhe, më e rëndësishmja, përfundimin e luftës.
Palestinezët e zhvendosur si pasojë e luftës do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre në fazën e parë të marrëveshjes, ndërsa ndihma humanitare do të fillojë të hyjë në enklavën e drejtuar nga Hamasi. Gati të 2.3 milionë banorët e Gazës u detyruan t’i braktisnin shtëpitë e tyre gjatë luftës.