Udhëheqësit e Armenisë, Azerbajxhanit dhe Rusisë kanë nënshkruar një marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit ushtarak mbi rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut.
Por, kur të gjithë prisnin që kjo marrëveshje do të qetësojë rajonin, në Armeni shpërthyen trazirat.
Protestuesit kanë sulmuar ndërtesat qeveritare dhe parlamentin.
Njoftimi i 10 nëntorit për t'i dhënë fund luftimeve midis Azerbajxhanit dhe armenëve etnikë përmes marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia erdhi pasi forcat azerbajxhanase bënë përparime të mëdha në fushën e betejës, përfshirë raportet se këto forca po i afroheshin kryeqytetit të rajonit, Stepanakert.
Nagarano Karabaku njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por armenët etnikë që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë refuzojnë sundimin e Azerbajxhanit. Ata kanë qeverisur rajonin, me mbështetjen e Armenisë, që kur trupat e Azerbajxhanit u dëbuan nga rajoni në një luftë që përfundoi me një armëpushim në 1994.
Çfarë po ndodh në Armeni?
Armenia është përfshirë nga një krizë politike, pasi grupet opozitare po i bëjnë thirrje kryeministrit, Nikol Pashinian, që të japë dorëheqje, pas një nate të zemërimit si rezultat i marrëveshjes së arritur me Azerbajxhanin, me ndërmjetësim të Rusisë, për ndalim të luftimeve në rajonin e Nagorno Karabakut.
Në skenat kaotike të kryeqytetit të së martës në Jerevan, qindra mbështetës opozitarë kanë hyrë në selinë e qeverisë dhe parlamentit, duke thyer xhamat në shenjë pakënaqësie.
SHIKONI EDHE: Krizë politike në Armeni pas humbjeve në Nagorno-KarabakKryetari i parlamentit, Ararat Mirzoyan është plagosur dhe është dërguar në spital. Dhjetëra protestues u përpoqën gjithashtu të hynin në zyrën e Radios Evropa e Lirë në Jerevan, duke e quajtur Shërbimin Armen "tradhtar".
Presidentja në detyrë e Radios Evropa e Lirë, Daisy Sindelar, tha se ajo që ndodhi në zyrën e Radios Evropa e Lirë në Jerevan ishte "një sulm i dënueshëm ndaj detyrës thelbësore të gazetarëve për të shërbyer si dëshmitarë të paanshëm gjatë ngjarjeve të mëdha".
"Shërbimi ynë armen, Azatutyun, është një nga mediat e pakta në Armeni që ka synuar të paraqesë të gjitha anët e një konflikti thellësisht përçarës. Ne i bëjmë thirrje policisë dhe publikut të mbështesin të drejtën e Azatutyun dhe të gjithë gazetarëve të pavarur për të raportuar lajme, në mënyrë objektive dhe të plotë, pa kërcënim dhune ose dëbimi", shtoi Sindelar.
Unioni i Gazetarëve të Armenisë dënoi me forcë sulmet dhe çdo kërcënim ndaj medias.
Zyra e presidentit të Armenisë, Armen Sarkisian ka thënë se do të nisë “konsultime politike” për të krijuar unitet politik dhe “për të koordinuar zgjidhjet që dalin nga agjenda jonë për mbrojtje të interesave kombëtare”.
Sarkisian ka thënë përmes një deklarate se ka mësuar për marrëveshjen për dhënien fund të luftimeve në Nagorno Karabak, përmes mediave.
“Fatkeqësisht, nuk ka pasur konsultime apo diskutime me mua, si presidenti i republikës sa i përket këtij dokumenti dhe unë nuk isha pjesë e negociatave”, ka thënë ai, duke insistuar se nënshkrimi i një dokumenti kaq të rëndësishëm do të duhej të bëhej subjekt i “konsultimeve dhe diskutimeve kuptimplota”.
Protestuesit janë mbledhur pasi kryeministri armen, Nikol Pashinian ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Rusia, për t’iu dhënë fund gjashtë javëve luftime me Azerbajxhanin.
Pakënaqësitë e protestuesve kanë ardhur pasi 17 parti opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e Pashinianit, duke përmendur humbjet ushtarake kundër forcave armene.
Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani mund të zotërojë rajonet që tashmë kontrollon, derisa u bëhet thirrje forcave armene që të heqin dorë nga disa pjesë jashtë kufijve të Nagorno Karabakut.
Si u arrit marrëveshja?
Përpjekjet për të zgjidhur konfliktin nga Grupi i Minskut i OSBE – i bashkëkryesuar nga Rusia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara – nuk kanë sjell ndonjë rezultat që nga viti 1992 dhe tre armëpushime të mëparshme të nënshkruara që kur luftimet shpërthyen përsëri më 27 shtator kanë dështuar të sjellin rezultate.
Kryeministri Pashiani njoftoi së pari për marrëveshjen trepalëshe përmes një postimi në Facebook, duke thënë se ai kishte nënshkruar një deklaratë me presidentët e Rusisë dhe Azerbajxhanit mbi "përfundimin" e luftës që nga ora 01:00 me kohën lokale.
Pashiani tha se marrëveshja, e cila përfshin vendosjen afatgjatë të trupave ruse në rajon, ishte "zgjidhja më e mirë e mundshme për situatën aktuale".
"Unë e mora këtë vendim si rezultat i një analize të thellë të situatës ushtarake dhe një vlerësimi të njerëzve që e njohin situatën më së miri", shkroi Pashinian.
Më vonë gjatë ditës, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Armenisë Shushan Stepanian tha se veprimet ushtarake në dhe përreth Nagorno Karabakut kishin pushuar plotësisht.
SHIKONI EDHE: Rritet numri i viktimave në Nagorno-Karabak pavarësisht armëpushimitPresidenti rus, Vladimir Putin tha se ai besonte se marrëveshja "do të krijojë [kushtet] e nevojshme për një zgjidhje afatgjatë dhe të plotë të krizës rreth Nagorno Karabakut në interes të popullit armen dhe azerbajxhanas."
Sipas presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, marrëveshja arriti pas një "kapitullimi" nga Armenia.
"Një dorë e hekurt e detyroi atë të nënshkruajë këtë dokument", tha ai, duke iu referuar Pashinianit.
Udhëheqësi de fakto etnik-armen i Nagorno Karabakut, Arayik Harutiunian, tha se ai kishte rënë dakord me Pashinianin për t'i dhënë fund luftimeve "duke pasur parasysh situatën aktuale të tmerrshme" dhe për të shmangur humbjen e plotë të enklavës separatiste.
Çfarë përmban marrëveshja?
Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani do të mbajë territorin e Nagorno Karabakut dhe zonat përreth të kapura gjatë konfliktit. Marrëveshja gjithashtu bën thirrje që forcat armene të dorëzojnë disa zona që ajo mbante jashtë kufijve të Nagorno Karabakut, duke përfshirë rajonin lindor të Agdamit dhe zonën perëndimore të Kalbacar.
Armenët gjithashtu do të humbin rajonin e Laçinit, ku një rrugë e rëndësishme lidh Nagorno Karabakun me Armeninë. Marrëveshja bën thirrje që një zonë e gjerë 5 kilometra në të ashtuquajturin “Korridori Laçin” të mbetet e hapur dhe të mbrohet nga rreth 2,000 paqeruajtës rusë.
Marrëveshja gjithashtu kërkon që shërbimet kufitare ruse të monitorojnë një korridor të ri transporti përmes Armenisë që lidh Azerbajxhanin me enklavën e tij perëndimore Nakscivan, e cila është e rrethuar nga Armenia, Irani dhe Turqia.
Raportohet se paqeruajtësit rusë janë nisur në drejtim të Nagorno Karabakut.
Aliyev tha se Turqia, një aleate e ngushtë e Azerbajxhanit, do të merrte pjesë në qendrën paqeruajtëse për të monitoruar armëpushimin.
Që kur luftimet shpërthyen në fund të shtatorit, disa mijëra njerëz besohet të jenë vrarë nga të dy palët.
Forcat e Azerbajxhanit shënuan një fitore të madhe në 8 nëntor, duke marrë qytetin kryesor të Shushit (i njohur si Susa në Azerbajxhan).
Shushi shtrihet gjithashtu përgjatë rrugës kryesore që lidh Stepanakert me Armeninë.
Në ditët e fundit, mijëra njerëz janë larguar në Armeni nga Nagorno Karabaku.
Forcat e Azerbajxhanit në javët e fundit kanë rimarrë gjithashtu disa rajone jashtë Nagorno Karabakut që ishin pushtuar nga forcat etnike armene.