Fondi i Sigurisë është i sigurt dhe është themeluar për shkak të rrethanave gjeopolitike në botë dhe jo vetëm luftës së Rusisë në Ukrainë, tha ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.
Gjatë një raportimi para Komisionit parlamentar për Siguri më 4 maj, Mehaj nuk dha detaje lidhur me atë se sa mjete janë mbledhur deri më tani, por tha se çdo mjet shtesë është i nevojshëm për institucionet e sigurisë së Kosovës, që të arrihen synimet ushtarake.
“Mjetet e mbledhura financiare nga ky fond, synohen të përdoren në përputhje me strategjinë shtetërore të Kosovës, që pritet të miratohet shumë shpejt nga Qeveria e Kosovës”, tha Mehaj.
“Forca, ushtria dhe policia ofrojnë siguri dhe e dimë që na është shtuar buxheti, por për t’i arritur kapacitetet edhe nevojat ushtarake të sigurisë, nuk po flas vetëm nevojat ushtarake, por edhe ato të ushtrisë, është i nevojshëm çdo buxhet shtesë që i jepet ushtrisë dhe policisë”, shtoi ai.
Më herët, deputetë të opozitës, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile, kanë thënë se ky fond duhet të jetë transparent dhe nuk ka arsye që të mbahet i fshehtë. Sipas tyre, ekzekutivi duhet të tregojë se sa para janë grumbulluar dhe si do të shfrytëzohen ato. Megjithatë, Mehaj tha se ky fond kontrollohet nga Ministria e Financave, Thesari dhe Zyra e kryeministrit.
SHIKONI EDHE: Fondi konfidencial i SigurisëMehaj tha se i gjithë procesi i themelimit të këtij fondi ka qenë në “koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara, me partnerët tanë, kështu që ata që publikojnë lajme të rreme, më vjen keq për ta, por ne nuk kemi bërë asgjë pa koordinim me partnerët”.
Më 1 mars, Qeveria e Kosovës njoftoi për themelimin e Fondit të Sigurisë, në të cilin, qytetarë dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë.
Ministri Mehaj tha se pavarësisht se buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës është rritur, ende nuk janë përmbushur nevojat e sigurisë.
Buxheti për këtë vit për Forcën e Sigurisë së Kosovës është 100 milionë euro. Më herët, kjo shumë ishte rreth 60 milionë. Në muajin nëntor të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se shuma e ndarë për ushtrinë përbën 1.3 për qind të Bruto Produktit Vendor.
SHIKONI EDHE: Forcimi i ushtrisë me donacioneNë tetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar tri ligje, përmes së cilave mundësohet transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës. Ky proces është paraparë të zgjasë dhjetë vjet.