Armatimi i rëndë amerikan që po i dërgohet Ukrainës

Njëmbëdhjetë helikopterë Mi-17
 
Këta helikopterë të dizajnuar nga sovjetikët përdoren kryesisht për transport dhe mund të bartin deri në 24 trupa, apo dërgesa deri në katër tonë, por disa variante janë të pajisura me mitralozë dhe/apo raketa.

Pesëqind raketa Javelin dhe "mijëra sisteme tjera kundërblindë"

Raketat Javelin, të prodhuara në SHBA, tashmë janë përdorur gjerësisht kundër autoblindave ruse, në luftën në Ukrainë. Arma mundëson sulme "qëllo dhe harro" nga një largësi prej 2.6 kilometrash. Në këto sulme, raketa udhëton drejt objektivit të caktuar, që do të thotë se luftëtarët mund ta lëshojnë atë dhe menjëherë të strehohen. Një hedhës dhe raketë kushton 178,000 dollarë, sipas buxhetit të vitit 2021 të Pentagonit.

Dhjetë radarë kundërartileri AN/TPQ-36

Ky "radar për zbulimin e armëve" përdoret për të vërejtur sulmet me artileri dhe gjurmon trajektoren e një predhe për të llogaritur nga është nisur gjylja e armikut.

Dyqind automjete të blinduara M113 për transportimin e personelit
 
Këto automjete u përdorën shumë gjatë luftimeve në Luftën e Vietnamit, por tani përdoren nga Shtetet e Bashkuara kryesisht si automjete mbështetëse, në rolin e ambulancave në fushëbeteja. Një M113 mund të transportojë deri në 15 pasagjerë dhe përdor blindë të lehtë alumini, e cila mbron vetëm kundër armëve të vogla.

Sasi të paspecifikuara të eksplozivëve C-4 dhe të "pajisjeve të shkatërrimit për pastrim të pengesave”
 

Ky eksploziv plastik mund të improvizohet dhe ka fuqi shpërthyese për të çarë çelikun, si linjat hekurudhore. Luftëtarët ukrainas janë xhiruar duke përdorur eksplozivët për të shkatërruar një urë hekurudhore, afër kufirit me Rusinë.

Treqind sisteme të telekomanduara taktike ajrore Switchblade
 

Këta "dronë vetëvrasës" peshojnë vetëm 2.5 kilogramë, dhe mund të dislokohen shpejt nga një tub sikur mortajë, i cili i lëshon ato në ajër. Switchblade përdor pamjet e drejtpërdrejta nga kamera për të gjetur objektivat dhe është i pajisur me bombë të vogël, që mund t'i vrasë armiqtë dhe t'i dëmtojë automjetet jo të blinduara. Sistemi është shumë më i shpejtë dhe më i lirë sesa angazhimi i mbështetjes ajrore, teksa secili dron llogaritet se kushton 6,000 dollarë. Një version më i madh i Switchblade është i aftë të shkatërrojë edhe autoblindat.

Sasi të paspecifikuara të minave kundërpersonel M18A1 Claymore
 

Këto mina janë të mbushura me 700 toptha çeliku sa një bizele, dhe mbështeten nga një mur eksplozivi. Kur shpërthehen, saçmet e çelikut shpërndahen më shpejtë sesa shumica e plumbave të pushkëve.

Dy radarë të vëzhgimit ajror AN/MPQ-64 Sentinel
 
Ky sistem radari është i krijuar për të zbuluar aeroplanët, dronët dhe raketat në ardhje, nga një largësi prej 40 kilometrash.

Njëqind automjete të blinduara për qëllime të ndryshme
 

Humvee është bërë markë e ushtrisë amerikane. Automjetet e ulëta mund të pajisjen me armatim, përfshirë mitralozë apo raketa kundërtanke.

Tetëmbëdhjetë obusë 155-milimetërsh dhe 40,000 njësi artilerie
 

Nuk dihet se cilët obusë 155-milimetërsh nga arsenali i SHBA-së do t'i dërgohen Ukrainës. Modeli M198, që shihet në këtë fotografi, për herë të parë ka nisur të përdoret nga ushtria amerikane në vitet e 1970-ta, por ka disa të meta nga aspekti i dizajnit, dhe tani pothuajse është zëvendësuar krejtësisht nga një version më i ri. Obusi M198 mund të bëjë qitje në një largësi prej mbi 20 kilometrash.

Sasi të paspecifikuara të uniformave mbrojtëse kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore
 

Pajisjet e tilla do të ishin vitale në rast të ndonjë sulmi me armë bërthamore apo kimike. Pentagoni po ashtu është zotuar se do ta furnizojë Ukrainën me pajisje mjekësore, jelekë antiplumb dhe helmeta, pajisje optike, laserë dhe modele të paspecifikuara të anijeve të telekomanduara për mbrojtje bregdetare.