Përvjetori i 25-të i Armatës maqedonase, e gjen Maqedoninë si shtet jashtë strukturave të Aleancës Veri-Atlantike.
Me formimin e Armatës maqedonase para një çerek shekulli, numri i të punësuarve shqiptarë ishte në nivelin më të ulët krahasuar me të gjitha dikasteret e tjera duke shënuar përfaqësimin e shqiptarëve me numra simbolik. Por, pas Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimi i shqiptarëve ka shënuar rritje vit pas viti.
Gjeneral Major Muhamed Raca, i cili është zëvendës i Shtatmadhorisë së Armatës për Radion Evropa e Lirë thotë se shqiptarët janë të përfaqësuar në nivel të kënaqshëm, sa i përket numrit të ushtarëve të paguar dhe nënoficerëve, por mbetet për të dëshiruar numri i shqiptarëve në nivel oficerësh.
“Përfaqësimi i shqiptarëve në Armatën e Republikës së Maqedonisë është i kënaqshëm, përfaqësimi i shqiptarëve sa i përket ushtarëve profesionalë arrin 22.3 për qind, sa i përket nënoficerëve ky numër arrin në 21 për qind, përderisa përfaqësimi i shqiptarëve në nivel të oficerëve është 12.6 për qind, dhe në sektorin civil të dikasterit të mbrojtjes shqiptarët janë të përfaqësuar me 8.2 për qind”.
“Mbetet shqetësues fakti se niveli më i ulët i përfaqësimit të shqiptarëve mbetet në nivel oficerësh, vetëm 12.6 për qind. Nevojitet përfshirja e një numri më të madh të oficerëve shqiptarë për të arritur ai 25 përqindëshi që e garantin ligji. Në këtë drejtim, do të theksoj se është shqetësuese se të rinjtë shqiptarë nuk tregohen të interesuar për të konkurruar në Akademinë Ushtarake të Maqedonisë”, thotë Gjeneral Majori Muhamed Raca, i cili njëherësh është dhe ligjërues në Akademinë Ushtarak në Shkup, duke iu bërë thirrje shqiptarëve të konkurrojnë në këtë institucion.
Problem më vete për Armatën e Maqedonisë paraqet dhe mungesa e mjeteve financiare.
Maqedonia si shtet në vazhdimësi ka ulur buxhetin e dikasterit të mbrojtjes, përderisa deri në vitin 2008, para samitit të NATO-s në Bukuresht, ky dikaster thithte dy për qind nga buxheti përgjithshëm i shtetit, por pas dështimit për tu anëtarësuar në Aleancën Veri-Atlantike në vazhdimësi pas këtij viti janë zvogëluar mjetet për dikasteri e mbrojtjes. Buxheti tani është më pak se një për qind e buxhetit të përgjithshëm të shtetit.
Ekspertët e mbrojtjes thonë se Maqedonia si shtet duhet të ndajë më shumë mjete për Ministrinë e Mbrojtjes, që të arrijë të plotësojë standardet që kërkohen nga Aleanca Veri-Atlantike për t`u bërë pjesë e saj.
"Jo vetëm në aspektin e thithjeve nga buxheti i shtetit, por edhe sa i përket realizimit të reformave, Armata e Maqedonisë shënon regres sa i përket përmbushjes së standardeve që kërkohen nga Aleanca Veri-Atlantike”, thotë Nano Ruzhin, ish-ambasador i Maqedonisë në NATO.
“Mungesa e mjeteve ka bllokuar edhe procesin e transformimit si dhe përgatitjes së Armatës maqedonase për të qenë pjesë përbërëse e strukturave të Aleancës Veri-Atlantike”.
“Shpresoj se me ndryshimin e pushtetit do t’i kushtohet më shumë kujdes këtij dikasteri, që ka një rol shumë të rëndësishëm sa i përket anëtarësimit të Maqedonisë në NATO”, thotë tutje Ruzhin.
Ndërkaq, kryetari i sindikatës së Armatës maqedonase, Riste Ajtov për Radion Evropa e Lirë thotë se kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet dhe ngritjes së standardit të të punësuarve në Armatë.
Ajdov thotë se nëse Maqedonia merr ftesë për tu anëtarësuar në NATO, atëherë ky vendim do të jetë politik sepse Maqedonia është shumë larg standardeve që kërkohen nga struktura Veri-Atlantike.
“Shënimi i jubileut të 25-të të Armatës së Maqedonisë nuk solli zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat përballen pjesëtarët e Armatës së shtetit, e ato janë: pagat e ulëta, pajisja e dobët me mjete profesionale e pjesëtarëve të armatës, si dhe përgatitja e dobët teknologjike e njësive të Armatës së Maqedonisë”, thekson Risto Ajtov, kryetar i sindikatës së Armatës së Maqedonisë.
Ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Sehkerinska në vazhdimësi ka theksuar se pavarësisht zvogëlimit të mjeteve për dikasterin që drejton edhe me rebalancin e fundit të buxhetit të shtetit, janë ndarë më shumë mjete për pagat, ndonëse për problemet e shumta me të cilat përballet mbrojtja ajo ka theksuar se do të zgjidhen që nga viti i ardhshëm.
Ndryshe, me rastin e 25 vjetorit të Armatës së Maqedonisë gjatë ditës në stadiumin ushtarak në Parkun e Qytetit në Shkup, janë ekspozuar mjeteve luftarake, teknike dhe pajisje ushtarake me të cilat disponon Armata maqedonase.