Arkivoli i Mbretëreshës Elizabeta II do të bartet të dielën nëpër Skoci për t’i dhënë mundësi publikut që t’ia japë lamtumirën e fundit monarkes, e cila ka vdekur pas shtatë dekadash në fron.
Vdekja e 96-vjeçares është përcjellë me lot, hidhërim dhe kujtime të mira, jo vetëm nga familja e ngushtë e mbretëreshës, por edhe shumë njerëz të tjerë në Britani dhe botë.
Nga mëngjesi i së dielës, arkivoli i Elizabetës II do të lëvizë ngadalë nga Kështjella Balmoral, nëpër qytete e qyteza drejt Edinburgut.
Në kortezh do të jetë edhe vajza e saj, Princesha Ana.
Ceremonia e funeralit është caktuar për 19 shtator në Londër.
Your browser doesn’t support HTML5
Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur nëpër pallatet mbretërore prej ditës kur ka vdekur mbretëresha, më 8 shtator, për të dërguar lule dhe për të kujtuar figurën e saj.
Charles III është bërë mbret në momentin që i ka vdekur nëna, mirëpo sipas traditave, Këshilli i Aderimit është mbledhur të shtunën dhe e ka zyrtarizuar pozitën e tij.
Ceremonia është mbajtur në Pallatin Shën James në Londër.
“Jam krejtësisht i vetëdijshëm për këtë trashëgimi të madhe dhe për detyrat e përgjegjësitë e sovranitetit që janë tani mbi mua”, ka thënë mbreti Charles III përgjatë ceremonisë.
SHIKONI EDHE: Charles III shpallet edhe zyrtarisht mbretPas përfundimit të ceremonisë, në të cilën kanë marrë pjesë mbi 200 persona, lajmi për mbretin e ri i është kumtuar publikut nga ballkoni.
Më pas kanë luajtur trumbetat dhe është lëshuar himni kombëtar.
Ai është zotuar se do të ndjekë rrugën e “nënës së tij të dashur” për t’i shërbyer kombit.