Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me Kosovën me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, thotë Stefan Surlliq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Surlliq thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me politikat e veta tregon se në Kosovë vlejnë konceptet njëetnike, por vetëm për shqiptarët.
Surlliq nuk pret që në rundin e 15 qershorit, palët të bisedojnë për Asociacionin.
Ai thotë se duhet të gjenden “forca të brendshme” që do t’i detyronin liderët të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, pasi, sipas tij, Bashkimi Evropian ofron vetëm shkopin dhe jo karotën.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Surlliq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të përballet të martën me një bashkëbisedues të ri në Bruksel: kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Cila është ajo gjëja e parë që prisni nga ky takim?
Stefan Surlliq: Pres që të dyja palët të tregojnë dëshirë dhe vullnet për të vazhduar dialogun, për të biseduar për temat që mund të dalin në tryezë gjatë periudhës së ardhshme. Ka pasur shumë mesazhe të ashpra dhe negative nga Beogradi dhe Prishtina, andaj është edhe simbolikisht e rëndësishme që të takohen dhe, nga pozita e udhëheqësve, të dërgojnë mesazhe më të moderuara dhe të dëshmojnë se janë të vendosur për dialog.
SHIKONI EDHE: Zbatimi i marrëveshjeve, peng i rinegociimitRadio Evropa e Lirë: Kurti ka thënë se Kosova do të paraqitet në Bruksel si palë e barabartë me Serbinë. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë të enjten në Tiranë se kjo është e pamundur, sepse - citoj - Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe Kosova jo. Si e shihni ju këtë qasje? Ku mund të çojë?
Stefan Surlliq: Serbia nuk heq dorë nga pozicioni se Kosova ka status të diskutueshëm dhe se ai nuk mund të zgjidhet derisa nuk ka marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës. Në anën tjetër, Kurti e relativizon dialogun dhe konsideron se bëhet fjalë për palë të barabarta. Unë nuk do të pajtohesha. Nëse vërtet bëhet fjalë për palë të barabarta, atëherë përse zhvillohet dialogu? Çështjet teknike, që do të duhej të zgjidheshin midis serbëve dhe shqiptarëve, nuk përmenden më. Autonomia për serbët në Kosovë është lënë plotësisht anash.
Pra, ideja e dialogut është që të arrihet - siç thuhet shpesh - njohja reciproke. Marrë parasysh që Serbia është shtet i pranuar ndërkombëtarisht, zyrtarët evropianë dhe amerikanë presin që gjatë dialogut të arrihet një marrëveshje e atillë, që do të mundësonte zhbllokimin e Kosovës në planin ndërkombëtar dhe anëtarësimin e saj në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare - gjë që tash për tash nuk është e mundur pa pajtimin e Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Kosova, megjithatë, është shtet i pranuar nga vende të shumta…
Stefan Surlliq: Po, [Kosova] është e pranuar. Por, shtrohet pyetja nëse Serbia nuk e njeh Kosovën - as pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin, çfarë është në favor të Serbisë - atëherë cila është perspektiva e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE dhe në NATO, cila është perspektiva e anëtarësimit në Këshillin e Evropës? Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme dhe nuk duhet relativizuar.
Albin Kurti tash i tregon muskujt për tema që janë vërtet të rëndësishme, para së gjithash, për qytetarët e Kosovës. Ai duhet ta thotë hapur se ‘është në interesin tonë’ dialogu me Serbinë, i cili do ta zhbllokojë Kosovën drejt rrugës evropiane dhe anëtarësimit në NATO.
Radio Evropa e Lirë: Kurti thotë se ky është fillimi i një procesi të ri të bisedimeve me Serbinë. Bashkimi Evropian thotë se është vazhdim i dialogut. Si komentohet në Serbi?
Stefan Surlliq: Më shumë komentohet në dritën e deklaratave të Kurtit. Ai, në fillim, ka thënë se dialogu nuk është fare i rëndësishëm, se është diku tema e pestë. Nëse është kështu, atëherë përse ai, si kryeministër, shkon në takim me presidentin e Serbisë? Ndoshta [presidentja e Kosovës] Vjosa Osmani do të mund të takohej me Vuçiqin. Por, fakti që ai e ka marrë këtë rol, tregon se ai e ka të rëndësishme të marrë pjesë dhe ta udhëheqë dialogun.
Sa i përket pjesës teknike të dialogut, nëse është vazhdim apo fillimi i një të riu, për ekipin negociues të Kosovës dhe për Albin Kurtin është fillimi i një procesi krejtësisht të ri. Ata nuk kanë kurrfarë përvoje. Në ekip nuk shoh anëtarë që kanë marrë pjesë më herët në proces. Kështu që takimi në Bruksel do të jetë një takim fillestar, me të cilin do të njoftohen. Por, supozoj se Bashkimi Evropian nuk do ta ndryshojë formatin.
Radio Evropa e Lirë: Vuçiq e ka porositur Kurtin se nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel nëse nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kurti thotë se nuk mund të formohet ndonjë asociacion njëetnik. A mund të përafrohen këto qëndrime? Nëse po, si?
Stefan Surlliq: Mendoj se argumenti është në duart e Serbisë dhe të përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar. Diçka që është rënë dakord në fazën paraprake dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave, si mund të mos zbatohet? Mendoj se kjo pyetje, para së gjithash, është për qytetarët e Kosovës, për elitën politike në Kosovë. A do të sillen ata në mënyrë shtetërore dhe t’i respektojnë vendimet që lidhen me Asociacionin?
Albin Kurti thotë për Asociacionin se është koncept njëetnik, por me politikën e tij ai tregon në njëfarë mënyre se në Kosovë mund të kalojnë konceptet njëetnike, por vetëm për shqiptarët. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit nuk respektohet, marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk zbatohet - çfarë do të thotë që Kosova, si shtet, i respekton ligjet që i përshtaten shumicës shqiptare. Nëse është diçka në favor të komunitetit serb ose dëshirës së tij për autonomi, atëherë kjo nuk vlen dhe nuk do të zbatohet.
Andaj, Vuçiq, edhe pse ndoshta vetë nuk sheh ndonjë dobi të madhe nga Asociacioni, ai e sheh atë si argument të fuqishëm, që do ta përdorë edhe tek akterët ndërkombëtarë, duke këmbëngulur se nuk do të ketë vazhdim të dialogut, derisa ajo që është rënë dakord deri më tani, nuk zbatohet edhe në terren.
SHIKONI EDHE: Riaktualizohet çështja e AsociacionitRadio Evropa e Lirë: A prisni që të martën në Bruksel të flitet për Asociacionin?
Stefan Surlliq: Mendoj se ka pak gjasa, sepse jo vetëm Albin Kurti, por të gjitha forcat politike në Kosovë janë të bashkuara në atë që Asociacioni është një zgjidhje negative për shoqërinë kosovare. Andaj, në këtë moment, nuk mendoj se do të ketë gatishmëri politike që [Kurti] të pranojë çfarëdo diskutimi për këtë temë. Në anën tjetër, mund të presim që Vuçiq të këmbëngulë pikërisht në këtë dhe kështu të kemi edhe një rund të pasuksesshëm të dialogut.
Radio Evropa e Lirë: Po, Vuçiq ka deklaruar se dialogu i ardhshëm në Bruksel nuk do të jetë i lehtë. A mund të supozoni se në çka ka aluduar?
Stefan Surlliq: Është një presion i vazhdueshëm nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, që duan marrëveshje, që do t’i mundësonte Kosovës njohje të plotë ndërkombëtare dhe anëtarësim në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Të tjerat, për to janë tema periferike. Ai është i vetëdijshëm për këto dhe, javëve të fundit, disa herë ka thënë se Serbia përballet me presion të paparë.
Radio Evropa e Lirë: Vuçiq me bashkëbiseduesit paraprakë nga Kosova ka hapur edhe temën e ndryshimit të kufijve. A prisni që kjo temë të hapet edhe në takimit Kurti- Vuçiq?
Stefan Surlliq: Nuk besoj. Mendoj se është bërë e qartë, para së gjithash, nga akterët kryesorë ndërkombëtarë se ky opsion nuk mund të merret në shqyrtim. Kurti po ashtu ka thënë në disa raste se nuk mund të flitet për këtë. Nëse ka dëshirë për shkëmbim territoresh, duhet pajtimi i dy palëve. Në këtë rast, nuk mendoj se kjo do të jetë temë, edhe pse kjo nuk do të thotë se Vuçiq nuk ka ende ide për një ndryshim të vijave kufitare, sepse për marrëveshjen finale nuk shihet mbështetje domethënëse e qytetarëve dhe e akterëve politikë, nëse në tryezë është vetëm njohja e Kosovës, pa ndonjë - të them - përmbushje territoriale.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Ndryshimi i kufijve është i mundur vetëm nën mandatin e OKB-sëRadio Evropa e Lirë: A prisni marrëveshje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë?
Stefan Surlliq: Nuk pres. Pres më shumë një marrëveshje si ajo e Uashingtonit, të cilën do ta prezantonte [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak, në bazë të temave që kanë qenë pjesë e dialogut, e që janë: të zhdukurit, krimet, pronat private. Këto do të mund të gjenden në një draft-marrëveshje që do ta nënshkruanin Beogradi dhe Prishtina, por kjo marrëveshje nuk do të kishte karakter final, por do të ishte në vazhdën e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Uashingtonit.
Nuk ka ende gatishmëri politike as në Beograd, as në Prishtinë që të vihet deri te kompromisi dhe të zgjidhen problemet që i mundojnë edhe serbët, edhe shqiptarët. Diçka finale mund të presim në momentin kur Serbia dhe Kosova të gjenden para hyrjes dhe anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë sa do ta dëmtojë rrugën e tyre evropiane mungesa e marrëveshjes?
Stefan Surlliq: Në Serbi, edhe politikanët, edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile vazhdimisht thonë se edhe sikur Serbia e Kosova të merren vesh për çdo gjë nesër, nuk ka perspektivë të hapur [për anëtarësim në BE]. Thjesht, vendet anëtare nuk janë në disponim për politikë të zgjerimit dhe për këtë janë të vetëdijshëm edhe Vuçiq, edhe Kurti. Ndoshta evropianët do të krijojnë një Proces të ri të Berlinit, ndoshta do të ofrojnë mjete të konsiderueshme financiare, por ne nuk kemi ende angazhim të qartë politik që këto dy shoqëri do të jenë pjesë e BE-së në të ardhmen e afërt.
Pra, nëse ofrohet vetëm shkopi dhe jo karota, atëherë nuk çuditem që dialogu, që vazhdon për më shumë se një dekadë, nuk jep rezultate. Besoj se duhet të gjenden forca të brendshme dhe jo ndërkombëtare, që do t’i detyrojnë udhëheqësit politikë të arrijnë marrëveshje, që do të thoshin se për neve normalizimi i marrëdhënieve është i rëndësishëm për të jetuar normalisht dhe jo sa për të përmbushur formalisht një kriter evropian apo ndërkombëtar.