Taravari shpall kandidaturën për president të Maqedonisë së Veriut

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka shpallur kandidaturën për president të Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari, shpalli kandidaturën e tij për president të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill dhe 8 maj.

Taravari shpalljen e kandidaturës e bëri më 15 shkurt në qytetin e Gostivarit të Maqedonisë së Veriut.

Ai do të jetë kandidat i koalicionit të opozitës shqiptare, Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN). Ky koalicion përbëhet nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lidhja Demokratike, njëri krah i Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet në Kosovë.

SHIKONI EDHE:

Vetëvendosja, pjesë e opozitës shqiptare në Maqedoninë e VeriutA ka Vetëvendosja ambicie panshqiptare?

Kandidatura e Arben Taravarit është diskutuar edhe më 30 janar në Prishtinë, gjatë një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe katër udhëheqësve të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

“Është privilegj të kem besimin e kaq shumë faktorëve. Është përgjegjësi të jem i zgjedhuri dhe i besuari i tyre. Është mision të jem zëri juaj...Ne kemi mundësinë që diversitetin e vendit tonë ta shndërrojmë në artin e bashkëjetesës dhe harmonisë. Ndryshimi ka nisur dhe kjo tashmë shihet”, tha Taravari para drejtuesve të opozitës shqiptare, ku ishte i pranishëm edhe Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit Kurti.

SHIKONI EDHE: Pendarovski: Kurti mund të mbështesë kë të dojë në zgjedhjet e 8 majit

Arben Taravari aktualisht është kryetari i Komunës së Gostivarit. Ai tha se pret që në zgjedhjet presidenciale të ketë mbështetjen e të gjitha etnive në Maqedoninë e Veriut.

“Unë do të kërkoj mbështetje nga të gjitha partitë politike, përfshirë edhe partitë tjera shqiptare, maqedonase, boshnjake, turke, rome dhe të të gjithë atyre që vlerësojnë se unë jam njeriu që duhet të udhëheq shtetin”, theksoi Taravari.

Përveç tij, jozyrtarisht është thënë se kandidat shqiptar për president mund të nxjerrë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), dhe ndër emrat që përflitet është ai i ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Pjesëmarrja e partive shqiptare me kandidatët e tyre në garën për president në Maqedonisë e Veriut, sipas njohësve të çështjeve politike, më tepër ka të bëjë me matjen e forcave mes tyre sesa që realisht mund të kalojnë në rundin e dytë të zgjedhjeve.

“Nëse ka dy ose tre kandidatë, pasi mundet të ketë edhe tre kandidatë shqiptarë, atëherë mund të kemi matjes forcash mes partive. Por, nëse del vetëm një kandidat shqiptar atëherë nuk do të kemi matje forcash. Në këtë rast, kemi shqiptarë që do të votonin për kandidatin shqiptar dhe tjerët që do të votonin kandidatët që kanë përzgjedhur partitë, nëse bëhet fjalë për kandidat konsensual. Pra, gjithçka varet nga formati në të cilin do të garojnë. Unë shoh paralajmërime se edhe BDI-ja do të nxjerrë kandidatin e saj, mund të dalë edhe ndonjë kandidat i pavarur. Në këtë rast do të kemi matje forcash”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti Albert Musliu.

SHIKONI EDHE: Osmani: Mbështetja e LVV-së për opozitën nuk do të ndikojë në procesin zgjedhor

Maqedonia e Veriut ka rreth 1.8 milion votues dhe në rundin e parë të zgjedhjeve, president zgjidhet ai kandidat që arrin të marrë mbi 50 për qind të votave nga trupi i përgjithshëm votues.

Nëse asnjëri kandidat nuk arrin të marrë 50 për qind të votave, atëherë në rundin e dytë shkojnë dy kandidatët me më së shumti vota. Fitues kandidati që fiton më shumë vota nga numri i votuesve që dalin në votime, me kusht që pjesëmarrja të jetë mbi 40 për qind e trupit votues.

Analist Albert Musliu thotë se një shqiptar nuk do të mund të zgjidhet për president nëse nuk merr mbështetjen e një pjesë të votuesve maqedonas, apo edhe të bashkësive të tjera etnike.

Një mundësi tjetër, sipas tij, është që presidenti të zgjidhet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ashtu siç është zgjedhur presidenti i parë në vitin 1991.

“Me këtë model zgjedhor shqiptarët kanë mundësi të fitojnë vetëm nëse e bindin një pjesë të konsiderueshme të popullatës joshqiptare, veçanërisht të asaj maqedonase sepse vetëm me votat e tyre nuk fitojnë. Mënyra tjera është që presidenti të zgjidhet në Kuvend dhe me një marrëveshje politike mund të zgjidhet ashtu siç u zgjodh presidenti i parë”, thotë Musliu.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut u shpallën një ditë më parë nga kreu i Kuvendit, Jovan Mitrevski.

SHIKONI EDHE: Shkup: Kryetari i Kuvendit i shpall zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

Kandidaturën për president deri tani e ka shpallur vetëm se partia “E Majta”. Kjo parti do të garojë me profesoreshën, Biljana Vankovska.

Afati për shpalljen e kandidaturave për garën presidenciale është deri më 19 mars.

Partia në pushtet, Lidhja Social Demokrate (LSDM), sipas presidentit aktual maqedonas, Stevo Pendarovski, do të duhet ta caktojë kandidatin për president brenda dhjetë ditësh.

Si kandidat i mundshëm është edhe presidenti Pendarovski, ndërsa përfliten edhe emrat e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, dhe i sekretarit të LSDM-së, Mile Zeqeviq.

Partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE, kandidatin e saj do të shpallë në konventën partiake që do ta mbajë më 2 mars.

Këto zgjedhje presidenciale janë të nëntat që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut më 1991.