Krerët shtetërorë nënshkruajnë aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti, duke nënshkruar aplikimin për anëtarësim në BE.

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Aplikimi u nënshkrua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti.

Presidentja Osmani e cilësoi si “historike” nënshkrimin e aplikimit të anëtarësimit në bllokun evropian.

"Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive e ambicies sonë të patjetërsueshme", tha Osmani duke shtuar se aplikimi për anëtarësim në BE është një hap drejt përmbushjes së ambicieve evropiane të Kosovës.

Dorëzimi i aplikimit pritet të bëhet më 15 dhjetor në Pragë të Çekisë, shtetit që aktualisht kryeson presidencën e bllokut evropian.

*Video: Hapat drejt anëtarësimit në BE

Presidentja Osmani tha se për Kosovën nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër pos BE-së.

"Kosova sot është mishërim i vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe frymon me shpirtin evropian”, tha ajo dhe theksoi se shteti e meriton të jetë pjesë e BE-së.

"Rruga jonë përpara është e qartë, procesi i anëtarësimit në BE nuk është i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë. Por, ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses", tha e para e vendit.

SHIKONI EDHE: Rikonfirmohet perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE

Kryeparlamentari Konjufca tha se për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor anëtarësimi në BE është i rëndësishëm, sepse, sipas tij, blloku ofron stabilitet, siguri, demokraci dhe prosperitet zhvillimor.

Ai tha se pret që pas dorëzimit të aplikimit, Komisioni Evropian të rekomandojë dhënien e statusit të vendit kandidat, dhe më pas shtetet anëtare të bllokut të mbështesin anëtarësimin e Kosovës.

“Marrja e statusit të vendit kandidat ka peshë të konsiderueshme dhe me të drejtë konsiderohet si vula e parë e perspektivës evropiane. Për këtë arsye, e ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së që ta demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës, por edhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim”, tha Konjufca.

Kryeministri Kurti tha se ky “moment historik” synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin e Kosovës dhe shoqërinë kosovare.

“Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë. Shpejtësia me të cilën do të ecim, do të varet nga ne, andaj angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm dhe përkushtimi i secilit, i domosdoshëm”, tha Kurti.

Kosova deri më tani ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Nga 27 shtetet anëtare të bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Shtetet mosnjohëse janë: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllok, pasi deri më tani kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjatë këtij viti nisën procesin e bisedimeve, ndërkaq Bosnjë e Hercegovina këtë javë ka marrë statusin e vendit kandidat.

Kosova po ashtu është shteti i vetëm që nuk ka liberalizim të vizave me BE-në.