Dalja publike në mënyrë gjysmë të zhveshur para udhëheqësve shtetërorë të përcjellur nga sigurimi, kërkon guxim, kurajo dhe mjeshtëri.
Mirëpo edhe ky hap e ka koston e vet.
Anzhelina Diash, e cila është duke u bërë eksperte në ngjarje të tilla për presidentët, në kuadër të grupit, Femen, ka thënë se përveç përballjes me burgun ajo ka humbur edhe punën në një kopsht të fëmijëve në Kiev, për shkak të aktivizmit të saj.
Përjashtimi i saj ka ndodhur pasi ajo kishte hutuar presidentin çek, Milosh Zeman duke thirrur, “Zeman, prostitutë e Putinit” dhe të njëjtin slogan e kishte të pikturuar edhe në pjesën e sipërme të trupit, derisa Zeman ishte duke votuar në rrethin e parë të votimeve për president të Çekisë.
Your browser doesn’t support HTML5
“Më përjashtuan për shkak të Femen-it”, i ka thënë ajo Radios Evropa e Lirë më 7 shkurt.
“E di se kanë qenë disa prindër të nxënësve që kanë qenë të turpëruar dhe të pakënaqur për shkak të punës sime tek Femen”, ka thënë ajo.
Gruaja që tashmë është në të 20-at e saj me prejardhje nga qyteti perëndimor i Ukrainës, Khmelnytskyy, ka thënë se është i është ndaluar edhe mundësia për të publikuar online për një platformë lidhur me modën dhe restorantet.
“Mendoj se disa persona janë shumë konservativë dhe është e vështirë që të punojë dikush për ata, e që bën diçka të veçantë, diçka të pazakonshme”.
Mirëpo ajo ka premtuar se do të vazhdojë me aktivitetet e saj, pavarësisht pengesave profesionale.
“Unë e di se isha mësuese e mirë. Nuk jam e nervozuar, do të vazhdoj tutje. E di se do të gjej diçka të re”, ka thënë ajo.
Diash është pjesë e grupit Femen për tetë vjet.
Ky grupi i cilëson “sekstremiste”, anëtaret që dalin gjysmë të zhveshura.
“Për shkak të ngjyrës së lëkurës sime, unë jam mësuar të luftoj për të drejtat e mia”, ka thënë Diash, babai i së cilës ka qenë student i mjekësisë nga Angola kur është martuar me nënën e saj ukrainase.
“Është shumë e çuditshme që të shohësh në rrugët e Kievit një vajzë me ngjyrë”, ka thënë ajo.
“E kam në gjak luftën për disa gjëra, andaj i përkas grupit Femen”.
Ajo ka kryer disa aktivitete kundrejt burrave të fuqishëm të Evropës Lindore.
Para protestës për Zemanin, duke i konsideruar si të ngushta marrëdhëniet në mes të liderit çek dhe presidentit rus, Vladimir Putin, Diash ka protestuar në muajin korrik të vitit të kaluar kundër liderit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, derisa ai vizitonte në Kiev presidentin ukrainas, Petro Poroshenko.
“Ne jemi duke mbrojtur demokracinë dhe nuk mendojmë se presidenti ynë duket të takohet me persona siç është Lukashenka apo të bëjë marrëveshje me këtë person”, ka thënë ajo.
“Ky hap ka qenë kundër ndonjë marrëveshje të Ukrainës me këtë diktator. Diktatorët nuk janë miqtë tanë nëse dëshironi të jetoni në një shtet të lirë dhe demokratik”.
Për shkak të kësaj proteste ajo është përballur me akuzat dhe huliganizëm dhe rezistencë ndaj policisë, andaj mund të ndëshkohet deri me pesë vite burgim.
Në faqen online të Femen thuhet se, “Misioni jonë janë protestat! Arma jonë është trupi gjysmë i zhveshur”.
Diash ka thënë se ka pranuar nga çekët qindra mesazhe në rrjetet sociale, të cilët e kanë mbështetur protestën e saj kundër Zemanit.
Një grup madje ka krijuar dhe shitur bluza me mbishkrimin, “Zeman, prostitutë e Putinit”.
Diash, e cila është ankuar për trajtim të keq nga policia çeke derisa ishte në burg për dy ditë në Pragë, i është ndaluar hyrja në shtet për një vit dhe i është kërkuar të largohet nga Çekia brenda tri ditësh, pasi është liruar me urdhër të gjykatës më 14 janar.
“Ne e kemi ditur për Zemanin dhe po ashtu e kemi ditur që ai nuk e mbështet Ukrainën, ai përkrah Rusinë dhe diktatorin Putin”, ka thënë ajo duke shtuar se Femen është ofenduar nga komentet e Zemanit se Krimeja i takon Rusisë.
Rusia e ka aneksuar Krimë në 2014, hap i cili është dënuar edhe në Kombet e Bashkuara.
“Pasi e kuptuam e Zemani kërkonte të bëhej edhe një herë president, vendosëm të bëjmë diçka për t’iu treguar çekëve që nuk duhet në asnjë mënyrë. Shikoni, nësë dëshironi që ky person të bëhet president edhe një mandat, mund të jetë e rrezikshme për shtetin “, ka thënë Diash.
Zeman, i cili ka fituar në rrethin e dytë të zgjedhjeve më 27 janar, ka thënë pas protestës së Diashit se ai ishte “nderuar” që kishte qenë cak nga Femen, sepse ky grup po ashtu ka sulmuar edhe Kishën Katolike në Vatikan.
Ndoshta protesta më e famshme e Diash, ishte ajo e 2 shtatorit, në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror të futbollit në mes të Ukrainës dhe Turqisë, që ishte mbajtur në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv.
Vetëm disa minuta para se të niste loja, Diash ka hyrë në fushë gjysmë e zhveshur me mbishkrimin “Vrasësi Erdogan” në gjoksin e saj.
Ndeshja ishte duke u shikuar nga miliona persona në Ukrainë, Turqi dhe vende të tjera, andaj protesta e saj kundër “regjimit diktatorial” të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, kishte fituar vëmendje të madhe.
Disa nga protestat e saj më të vogla kanë qenë kundër Poroshenkos, kompanisë së çokollatave Roshen dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Diash nuk e di përse ka qenë ajo që ka kryer protestat “personale” kundër Zemanit apo Lukashenkas.
“Ndoshta për shkak se unë jam e çmendura. Nuk mendoj se çfarë do të ndodhë. Nuk menoj se jam e veçantë. Vetëm ka ndodhur ashtu”, ka thënë ajo.
Pavarësisht lutjeve të nënës së saj, e cila është e shqetësuar se vajza e saj mund të burgohet, Diash ka thënë se do të vazhdojë.
“Unë besoj së nëse dëshironi të ndyshoni diçka në botë, ne duhet të flasim hapur. Duhet të bëjmë diçka”, ka thënë ajo.
“Jo vetëm të flasim në kuzhinat tona dhe të flasim për gjithçka, ‘Oh kjo është e shëmtuar’. Vetëm duke qenë aktiv ne mund të ndryshojmë gjërat dhe të kemi jetë më ndryshe”, është shprehur Diash.