Blinken: Dislokimi i trupave koreanoveriore kërkon përgjigje të vendosur

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Bruksel, 13 nëntor 2024.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi se dislokimi i trupave të Koresë së Veriut përkrah forcave ruse, që luftojnë në kufirin ukrainas, kërkon “përgjigje të vendosur”.

Blinken, tha se ka diskutuar me shefin e NATO-s, Mark Rutte, për faktin që forcat koreanoveriore janë “përfshirë në betejë, dhe tani, në luftime dhe kjo kërkon dhe do të ketë një përgjigje të vendosur”.

Blinken u takua me Rutten në Bruksel, teksa administrata në largim e presidentit amerikan, Joe Biden, po tenton të çimentojë mbështetjen për Ukrainën, para se republikani Donald Trump të marrë detyrën e presidentit.

SHIKONI EDHE:

Fitorja e Trumpit mund të çojë drejt paqes në Ukrainë, por në favor të kujt?A do të mposhten trupat e dërrmuara ukrainase nga ushtarët koreanoveriorë?

Pas fitores në zgjedhjet presidenciale, Trump është zotuar se do të ndalë luftërat në Ukrainë dhe Lindje të Mesme.

Gjatë adresimit për media, Rutte tha se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk duhet të lejohet që të jetë i suksesshëm në Ukrainë.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Së fundi, inteligjenca e SHBA-së, ajo e Koresë së Jugut, e NATO-s dhe Ukrainës kanë konfirmuar se Koreja e Veriut ka dislokuar në Kursk të Rusisë trupa për ta ndihmuar Moskën në luftën kundër shtetit fqinj.

SHBA-ja ka thënë se në Kursk – që ndodhet në kufi me Ukrainën – gjenden afër 10.000 trupa të Koresë së Veriut, por Ukraina ka thënë se numri ka shkuar deri në 12.000.

Po ashtu, Rusia ka zhvendosur disa burime në rajonin kufitar të Kurskut për t’iu përgjigjur ofensivës që Ukraina nisi në gusht, pasi forcat ruse kanë hasur në vështirësi që të zmbrapsin trupat ukrainase.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryediplomati amerikan foli edhe për luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, që ka nisur në tetor të vitit të kaluar.

Blinken i bëri thirrje Izraelit që të zbatojë “pauza të vërteta dhe të zgjatura” në luftime, në mënyrë që të lejohet dërgimi i ndihmave humanitare në Gazë.

“Duhet të shohim pauza të vërteta dh të zgjatura në pjesë të mëdha të Gazës, pauza në luftime, të çdo luftimi, në mënyrë që ndihma të arrijë në mënyrë efektive te njerëzit që kanë nevojë”, tha Blinken, duke shtuar se Izraeli po ndërmerr hapa për të adresuar situatën e rëndë humanitare në territorin palestinez.