Guterres i shqetësuar me përplasjet rreth Sirisë

Antonio Guterres

Shefi i Kombeve te Bashkuara ka paralajmëruar për mundësinë e daljes nga kontrolli të situatës në Siri, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi Rusinë që të “bëhet gati” për sulme me raketa në Siri.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonoi Guterres ka thënë se më 11 prill, kishte takuar ambasadorët e vendeve që kanë fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit, (Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Rusia dhe Kina), për të “përsëritur shqetësimin rreth rreziqeve” nga situata në Siri.

Guterres ka thënë se është “e nevojshme që situata të mos dalë nga kontrolli”.

Ndërkaq, ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter gjatë një interviste për Associated Press i ka bërë thirrje Trumpit që “ta mbajë shtetin në paqe dhe të mos ekzagjerojë apo përkeqësojë sfidat që mund të dalin me Korenë e Veriut, në Rusi ose në Siri”.

Carter ka thënë se sulmet konvensionale me raketa, të tilla siç po i shqyrton presidenti Trump, në përgjigje ndaj një sulmi të dyshuar kimik në Duma të Sirisë, janë një “gjë e rrezikshme” dhe mund të bëjnë që situata të dalë jashtë kontrollit, kur dy shtete me fuqi bërthamore janë të përfshira.

“Shpresoj që ai ta kuptojë këtë gjë mirë, ashtu siç unë dhe presidentët e tjerë e kemi kuptuar, se çdo shkëmbim bërthamor mund të përfshijë gjithë njerëzimin në katastrofë”, ka thënë ai për AP.

Disa zyrtarë të lartë rusë, përfshirë edhe ambsadorin rus në OKB, kanë bërë thirrje për kujdes dhe kanë paralajmëruar për pasoja të “mëdha”, ndërsa zyrtarë të tjerë nga të dyja palët kanë thënë se duhet të gjendet një zgjidhje që do të parandalonte që situata të dalë jashtë kontrollit.

Më 11 prill, Trump ka lënë të kuptohet se mund të sulmojë me raketa Sirinë, në kundërpërgjigje ndaj sulmit të dyshuar kimik në Duma të Sirisë, ku janë vrarë të paktën 43 civilë.

Your browser doesn’t support HTML5

Pamje pas sulmit të dyshuar kimik në Duma të Sirisë

Rusia dhe Siria kanë mohuar se kanë përdorur armë kimike dhe kanë paralajmëruar se çdo sulm me raketa ndaj forcave të presidentit sirian, Bashar al-Assad, do ta zmbrapsin.

“Rusia është zotuar se do të godasë çdo raketë të lëshuar në Siri”, ka shkruar Trump në Twitter.

“Rusi bëhu gati, sepse ato po vijnë, të bukura, të reja dhe të ‘mençura’”, ka shkruar Trump në postimin e tij.

​Në kundërpërgjigje ndaj këtij qëndrimi të presidentit amerikan, Minsitria e Jashtme ruse ka thënë se “raketat e mençura duhet të lëshohen drejt terroristëve, e jo drejt Qeverisë legjitime” të Sirisë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka thënë se në takimin e ekipit të sigurisë kombëtare, të mbajtur më 11 prill, është diskutuar për një “sërë opsionesh” në përgjigje ndaj sulmit të dyshuar kimik.

“Ne ende jemi duke i shqyrtuar disa prej këtyre opsioneve dhe vendimi final ende nuk është marrë”, u ka thënë ajo gazetarëve.

Sanders ka thënë se Uashingtoni e mban përgjegjëse Rusinë dhe Sirinë për këtë incident.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të takohet më 12 prill për të diskutuar për përshkallëzimin e retorikës mbi Sirinë dhe për kërcënimet për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme ushtarake.

Përgatiti: Mimoza Sadiku