Një fotografe e Vladivostokut, përmes objektivit të aparatit të saj, ka dokumentuar fenomenin e tmerrshëm të anijeve të peshkimit të Koresë së Veriut, që gjenden në bregdetin e Primorski Krai të Rusisë.
Kjo anije e braktisur peshkimi verikoreane lundroi në brigjet në lindje të Rusisë në pranverën e vitit 2020. Ajo është një nga disa anije të tilla të përmbytura – që shumica prej tyre kanë histori tragjike – që dalin në brigjet e Rusisë çdo vit.
Që prej vitit 2019, fotografja Natalya Bulkina, që gjendet në Vladivostok në Lindje e Largët në Rusi, ka fotografuar anijet fantazmë të Koresë së Veriut.
Shumica e anijeve që enden në brigjet ruse janë boshe, por disa prej tyre bartin trupat e marinarëve verikoreanë ose të të mbijetuarve të stuhive që godasin shpesh Detin e Japonisë. Shumica e të mbijetuarve janë të kequshqyer.
Më 2018, banorët vendas sollën një eskavator, në tentim që të mund të depërtonin në një anije të përmbytur, e cila kishte ngecur në rërën e një plazhi rreth 150 kilometra larg nga Vladivostoku, pasi dëgjuan zhurma që vinin nga brendësia e anijes. Nga anija më pas doli një peshkatar “i dobët dhe me sy të kuq” që fliste gjuhën koreane.
Peshkatarët që mbijetojnë dhe arrijnë në Rusi, dëbohen përsëri në Korenë e Veriut.
Bulkina, që u shpërngul në Vladivostok nga vendlindja e saj në afërsi të Shën Petersburgut, i tha Radios Evropa e Lirë se pasi vizitoi vijën bregdetare dhe pa disa anije të Koresë e Veriut, e kuptoi se këto anije të përmbytura “nuk ishin ndonjë rast i izoluar, por ishin pjesë e një fenomeni më të madh”.
Sipas Siberian Times, gjuetarët e kallamarëve nga Koreja e Veriut, shpesh lundrojnë në ujërat ruse dhe përdorin rrjeta të paligjshme peshkimi, zakonisht gjatë muajve të verës.
Një studim i vitit 2020 erdhi në përfundim se flotat masive të peshkatarëve kinezë që gjuajnë kallamarët, në vitet e fundit kanë varfëruar në mënyrë drastike rezervat e ushqimeve të detit në ujërat e Koresë së Veriut. Pasi kanë kuota që duhet t’i përmbushin, peshkatarët e Koresë së Veriut po detyrohen që të bëjnë udhëtime gjithnjë e më të gjata dhe më të rrezikshme në det me anijet e tyre prej druri.
Numri i vdekjeve në det nga shteti autoritar i Koresë së Veriut është i pamundur që të verifikohet. Rusia nuk ka statistika lidhur me anijet që enden përgjatë bregdetit të saj, por autoritetet japoneze kanë raportuar për pothuajse 600 anije fantazmë në periudhën 2016-2020 në brigjet e Japonisë, me dhjetëra trupa të gjetur në bordin e tyre.
Bulkina tha se gjendja e tmerrshme e anijeve të peshkimit të Koresë së Veriut që ajo ka parë e bën të dëshpërohet me “guximin e pashpresë” të njerëzve që të lundrojnë në oqean të hapur me anije të tilla.
Që prej shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, Bulkina tha se ka pasur rënie drastike të numrit të anijeve të përmbysura që po dalin në bregdetin lindor rus. Kjo fotografe ka dyshime se kjo më shumë ka të ngjarë që lidhet me masat e izolimit sesa me përmirësimin e kushteve të sigurisë për peshkatarët nga shteti totalitar.
Bulkina tha për mediat lokale se fotografimi i anijeve fantazmë i jep asaj një “ndjenjë të fortë dëshpërimi, guximi, rreziku dhe frike”, dhe tha se qëndrimi pranë këtyre varkave e bëri atë që të mendonte për “dramën e këtyre njerëzve që hyjnë në det me anije kaq të dobëta”.