Anglia trajnon rekrutët ukrainas për luftën kundër forcave ruse

Rekrutët ukrainas praktikojnë pastrimin e shtëpive mes zhurmës së armëve dhe tymit të bombave në një fshat të simuluar, ku ushtarët britanikë ishin trajnuar më parë për operacione në Irlandën e Veriut.

Në këtë stërvitje, e cili po zhvillohet në katër baza në Mbretërinë e Bashkuar, janë të përfshirë mbi 1.000 trajnues britanikë. Trajnuesit nga disa vende nordike, Kanadaja, Holanda dhe Zelanda e Re po ofrojnë gjithashtu ekspertizën e tyre ushtarake.

Rekrutët ukrainas po i nënshtrohen një versioni të shkurtuar të trajnimit të këmbësorisë, që ushtria britanike ua ofron trupave të saj. Manovrimi me armë, ndihma e parë, taktikat e patrullimit dhe ligjet e konfliktit janë gjithashtu pjesë e trajnimit. 
 

"Pjesa më e rëndësishme është trajnimi urban, sepse lufta më e rrezikshme është në qytete", tha Serhiy, një ish-punonjës i IT-së, i cili, ashtu si ukrainasit e tjerë, nuk donte që emri i tij i plotë të përdorej për shkak të shqetësimeve të sigurisë. “Instruktorët britanikë kanë shumë përvojë nga Iraku dhe Afganistani. Ne mund t'i përshtatim të gjitha këto njohuri me situatën e Ukrainës dhe ta përdorim atë për të çliruar vendin tonë nga pushtimi rus”.
 

Qëllimi është që rekrutët e rinj të transformohen shpejt në ushtarë të gatshëm për luftim. Kontigjenti i parë mbërriti muajin e kaluar dhe tashmë është urdhëruar në vijën e frontit për të ndihmuar njësitë e varfëruara ukrainase.

"Ne po drejtojmë një kurs bazë këmbësorie, i cili merr rekrutët ukrainas dhe i mëson ata të qëllojnë mirë, të lëvizin dhe të komunikojnë mirë brenda çdo mjedisi taktik", tha majori Craig Hutton, një oficer i Gardës skoceze të ushtrisë britanike që po mbikëqyr trajnimin.

Hutton tha se shumë nga ukrainasit kanë pak përvojë ushtarake, por shtoi: "Ata janë shumë të motivuar. Ata kanë një vullnet fantastik për të mësuar dhe thjesht duan të praktikojnë, praktikojnë dhe praktikojnë më shumë". 

Uniforma të reja, forca të blinduara, helmeta dhe pajisje të tjera po i dërgohen ushtrisë ukrainase nga Britania si pjesë e një pakete ndihme ushtarake prej 2.8 miliardë dollarësh që përfshin gjithashtu raketa antitank dhe raketa të avancuara.

Zakhar,  ish-inxhinier, tha se ishte e vështirë të largohej nga Ukraina, derisa luftimet janë ndezur. “I lash prindërit e mi. I lash vëllezërit dhe motrat, të afërmit, për të fituar njohuri dhe përvojë që do të më ndihmonte… të çliroj territorin tonë nga pushtuesi", tha ai përmes një përkthyesi.

Serhiy, ish-punonjësi i IT-së, ka më pak se një muaj me uniformë dhe është shumë i vendosur. "Unë e di që ushtarët ukrainas tani po vdesin për të mbrojtur shtëpitë tona", tha ai. “Por, ushtria ukrainase ka nevojë vetëm për ushtarë profesionistë, kështu që unë do të stërvitem sa më shumë që të jetë e mundur për të qenë gati për betejën përpara”.

Brigadieri i ushtrisë britanike, Justin Stenhouse, i cili është përgjegjës për stërvitjen, tha se të shohësh motivimin e ukrainasve është "përulësi". Ai pranoi se përgatitja për kaosin e luftimeve në qytet është "pothuajse e pamundur të bëhet në stërvitje". Qëllimi i misionit, tha ai, është "që t'i trajnojë ata në mënyrë që të mund të përshtaten për të mbijetuar në javët e para të luftimit".

"Ata do të mësojnë më shumë në javët e para të luftimit në terren sesa ne mund t'u japim atyre këtu", tha ai.