Shkupi pret përkrahje nga Bundestagu për hapjen e bisedimeve

Shkup - Fotografi nga arkivi

Bundestagu gjerman pajtohet që Qeveria gjermane të aprovojë fillimin e bisedimeve aderuese me Maqedoninë e Veriut, në mbledhjen e Këshillit Evropian më 17 dhe 18 tetor. Kjo, siç bëhet e ditur nga zyrtarët e Qeverisë në Shkup, qëndron në propozimin e përbashkët të grupeve parlamentare të partive qeverisëse në Gjermani.

Në këtë vendim nuk theksohen kushte që duhet t'i përmbushë Maqedonia e Veriut para konferencës së parë ndërqeveritare, që de facto, shënon edhe fillimin e bisedimeve, por dokumenti më shumë i përkushtohet përmbajtjes së kornizës së bisedimeve, mbi të cilat do të zhvillohen ato.

Në dokumentin e publikuar nga mediat thuhet se partitë e Bundestagut pajtohem me raportin e Komisionit Evropian se vendi ka arritur progres të theksuar dhe se duhet të hapen bisedimet aderuese me Shkupin zyrtar. Si argumente kryesore për këtë radhiten Marrëveshja e Prespës për zgjidhjen e kontestit të emrit, procesi i reformave në gjyqësi, në administratën publike, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit.

SHIKONI EDHE: Ofensivë diplomatike për nisjen e bisedimeve me BE-në

Megjithatë, dokumenti vëren se reformat e filluara në Maqedoninë e Veriut, janë larg përfundimit dhe se ka shumë punë serioze për të bërë në sferat kyçe, andaj siç thuhet, dinamika e bisedimeve do të varet nga përmbushja e kushteve në dy kapitujt kryesorë, 23 (Gjyqësia dhe të drejtat e njeriut) dhe 24 ( drejtësia, liria dhe siguria).

Drejtuesit e institucioneve mirëpresin vendimin që pritet të zyrtarizohet të enjten në mbrëmje, ndërsa shpresojnë se qëndrimin gjerman do ta mbështesin edhe vende të tjera.

“Të gjitha shtetet janë në anën tonë. Kanë mbetur edhe disa prej tyre, të cilat ndoshta i janë të njohura opinionit. Ato ende nuk janë deklaruar deri në fund, por shumë prej tyre nuk e problematizojnë Maqedoninë e Veriut. Disa të tjera zhvillojnë debate në suaza rajonale sa i përket integrimit. Konsideroj se me rëndësi është që nuk ekziston asnjë shtet anëtar i BE-së që ka probleme me Maqedoninë e Veriut. Të gjitha theksojnë se ajo që pritej nga ne, është realizuar”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Ai, gjithashtu, ka theksuar përkushtimin e institucioneve për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që ndërlidhen me integrimin, zbatimin e Marrëveshjes me Greqisë, Bullgarinë, pastaj luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformat në gjyqësi, si dhe obligime tjera që duhet të përmbushen që vendi të mund të hapë rrugën e integrimit evropian.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare, kanë dhënë vlerësim pozitiv për qëndrimin gjerman, por, gjithashtu kanë bërë thirrje për kujdes meqë ende shumë shtete që kanë dilema mbi këtë proces, nuk e kanë thënë fjalën e fundit.

“Ky inkurajim nga ana e Gjermanisë, por edhe nga shtetet fqinje, si Greqia dhe Bullgaria paraqet një shtytje për Maqedoninë e Veriut për të vazhduar me reformat dhe të imponohet si shtet i ardhshëm i BE-së, kuptohet pas përmbushjes së kritereve të nevojshme. Shpresoj se vendimi i Bundestagut do të reflektohet edhe te vendet tjera për marrjen po ashtu të vendimeve pozitive pasi, siç dihet, çdo shtet veç e veç miraton vendimet”, thotë Nano Ruzhin, ish-ambasador në NATO.

Ai thekson se Maqedonia e Veriut ka bërë shumë dhe me të drejtë pret që të marrë datën për nisjen e bisedimeve.

SHIKONI EDHE: Bullgaria kushtëzon datën e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut?

Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane, thotë se Maqedonia e Veriut ka argumente të fuqishme se e meriton datën e bisedimeve, si Marrëveshjen e Prespës dhe vlerësimin e Komisionit Evropian me rekomandimin e muajit maj të këtij viti. Sipas saj, vendimi për nisjen e bisedimeve merret në momentin e fundit pas debateve mes shteteve anëtare dhe si vendimtar ajo e konsideron qëndrimin e Francës.

“Në këtë fazë mendoj se ndoshta vendimtar do të jetë qëndrimi i Francës, të cilin jemi duke e pritur. Pra, varet nga ajo se çfarë vlerësimi do të japë presidenti Macron se a është kompaktibil ose jo procesi brenda BE-së me procesin e zgjerimit. Ky mund të jetë faktori kyç për nisjen e bisedimeve”, thotë Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane.

Por, Kacarska thotë se institucionet duhet ende shumë të punojnë pasi zhvillimet rreth Prokurorisë Speciale kanë ngritur dilema, të cilat shpreson se nuk do të jenë pengesë direkte, megjithatë në një afat më të gjatë me këtë çështje duhet të përballen institucionet.