Ka nisur në Siberi gjyqi ndaj një ish-korrespondenti të projektit ‘Siberia.Realities’ të Radios Evropa e Lirë pas postimeve që ai bëri në mediat sociale duke thënë se forcat ruse sulmuan infrastrukturën civile në Ukrainë.
Andrei Novashov përballet në gjyq me akuzat për shpërndarje të informacioneve të rremë mbi ushtrinë ruse, me seancën e parë që nisi më 16 qershor në gjykatën e qarkut Rudnichny në qytetin siberian të Prokopyevskit në rajonin e Kemerovës.
Dëshmitari i parë i thirrur nga prokurorët tha se ai e raportoi Novashovin te organet e zbatimit të ligjit për postimet në rrjetin social Vkontakte në lidhje me pushtimin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.
Avokatja e Novashov, Maria Yankina, i tha Radios Evropa e Lirë se dëshmitari deklaroi se kishte vendosur të denonconte Novashovin sepse në postimet e tij thuhej se forcat ruse bombarduan infrastrukturën civile në qytetin port të Mariupolit, duke vrarë civilë. Postimet, tha dëshmitari, binin në kundërshtim me raportet zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Gjatë ekzaminimit të provave, avokatja e Novashov paraqiti shkrime ndërkombëtare që mbështesin vërtetësinë e postimeve të tij mbi sulmet ruse në Mariupol. Yankina tha se dëshmitari tha se ishte "i tronditur" kur pa provat, por nuk dha hollësi.
SHIKONI EDHE: "Bëra çfarë munda": Rusët që protestojnë kundër luftës
Çështja kundër Novashov filloi në mars. Që atëherë, atij nuk i është lejuar të përdorë internetin, postën e shkruar, të marrë pjesë në ngjarje publike apo të përdorë telefonin, përveçse për të telefonuar të afërmit, avokatin e tij, gjykatën ose numrat e urgjencës.
Novashovit iu ndalua gjithashtu të fliste me gazetarët e Shërbimit Rus të Radio Evropa e Lirë, projektit ‘Siberia.Realities’ dhe gazetës online Taiga-Info, me të cilën ai ka bashkëpunuar.
Yankina vuri në dukje se kufizimet e privojnë klientin e saj nga aftësia për të kryer aktivitetet e tij profesionale.
Disa ditë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, presidenti Vladimir Putin nënshkroi ligjin që dënon me burg, shpërndarjen e "informacionit qëllimisht të rremë" në lidhje me operacionet ushtarake ruse, ndërsa Kremlini kërkon të kontrollojë narrativën për luftën në Ukrainë.
Ligji parashikon dënime deri në 10 vjet burg për individët e dënuar për një vepër penale, ndërsa dënimi për shpërndarjen e "informacioneve të rreme të qëllimshme" për ushtrinë ruse që çon në "pasoja të rënda" është 15 vjet burg.
Ky dekret gjithashtu e bën të paligjshme "thirrjen kundër përdorimit të trupave ruse për të mbrojtur interesat e Rusisë" ose "diskreditimin e një përdorimi të tillë" me një dënim të mundshëm deri në tre vjet burg. E njëjta dispozitë vlen edhe për thirrjet për sanksione kundër Rusisë.
Që nga fillimi i marsit, shumë gazetarë u larguan nga Rusia pasi ose përpara se të përballeshin me akuza të tilla.