Amnisti në këmbim të referendumit?

Protestuesit brenda Kuvendit të Maqedonisë. 27 prill, 2017.

Njohësit e çështjeve politike teksa komentojnë aktualizimin e kërkesës së VMRO-DPMNE-së për t’u amnistuar të gjithë personat e përfshirë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, thonë se kjo paraqet një tentim për të kushtëzuar shumicën parlamentare për liruar të akuzuarit në këmbim të zhbllokimit të procesit të zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, për të realizuar referendumin për çështjen e emrit.

Këto komente vijnë pasi të dielën lideri i opozitës maqedonase, Hristian Mickoski ka kërkuar amnisti pë të gjithë personat e përfshirë në ngjajet e dhunshme në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar.

Mickoski deklaroi se amnistia do t’i mundësojë vendit të ecë para dhe njëherësh do t’i jepet fund revanshizmit politik.

Kjo kërkesë aktualizohet në momentin që duhet të zgjidhen anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, që do të duhet të realizojnë procesin e referendumit që parashihet me marrëveshjen Maqedoni-Greqi në bazë të cilës synohet t’i jepet fund kontestit që zgjatë më shumë se dy dekada mes dy vendeve fqinje.

Arsim Sinani për Radion Evropa e Lirë thotë se ish-kryesia e VMRO-DPMNE-së përpiqet që të gjejë mundësi për të shpëtuar nga veprimet kriminale që i ka bërë në të kaluarën.

Sinani, duke komentuar qëndrimin e fundit të ministrit të Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, i cili kërkesës për amnisti i është kundërpërgjigjur, duke thënë se askush që ka bërë krim nuk duhet të shpresojë se do të mund të amnistohet, thotë se edhe kundër deklarimeve, pushteti dhe opozita maqedonase pas kuintave tanimë janë duke definuar kompromisin lidhur me këtë çështje.

“Drejtësia kuptohet se duhet të shkojë deri në fund. Por, kam frikë se establishmenti maqedon, pozitë dhe opozitë, tanimë kanë një marrëveshje dhe kjo shihet edhe për faktin se nuk ecë as realizmi i të drejtave të shqiptarëve”.

“Çështja që ka të bëjë me zgjidhjen e kontestit të emrit, që pas saj është problemi i bllokimit të procesit të integrimeve dhe hapja e kufijve drejt Evropës. Këtu pala maqedonase do të bëjë kompromise që janë të domosdoshme për të zhbllokuar procesin”, thotë Sinani.

Nga ana tjetër edhe Mitko Gaxhovski nga Fakulteti i Shkencave Politike në Shkup pë Radion Evropa e Lirë thotë se VMRO-DPMNE synon të bëjë pazar, të zhbllokojë procesin e realizmit të referendumit, në këmbim të amnistisë.

Megjithëse, ai është i bindur se kjo kërkesë e VMRO-DPMNE-së vështirë se do të realizohet, sepse, siç thotë Gaxhovski, do të lë një njollë të errët sa i përket sundimit të drejtësisë.

“Mendoj se atë që e kërkon VMRO-DPMNE është shumë vështirë të realizohet, sepse nëse nuk dënohen të gjithë ata që ishin të përfshirë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë, do të jetë shembull i keq për shoqërinë”, thotë Gaxhoski duke shtuar se ditëve në vazhdim pritet që të rritet trysnia e faktorit ndërkombëtar, në mënyrë që VMRO-DPMNE të zhbllokojë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KSHZ-së.

Ndryshe, kryetari i Komisionit Parlamentar që është nga radhët e VMRO-së nuk tregon se kur do të ftojë mbedhjen për zgjedhjen e shtatë antarëve nga 47 kandidatë që janë paraqitur në konkurs.

Anëtarët e KSHZ-së zgjidhen në Kuvend me dy të tretat e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Përbërja e re e KSHZ-së do të ketë mandat prej gjashtë muajve dhe do të ketë për detyrë që të realizojë referendumin për çështjen e emrit, i cili sipas kryeministrit të Maqedonisl, Zoran Zaev duhet të mbahet në muajin shtator ose tetor të këtij viti.