Talibanët po "shkatërrojnë jetët e grave dhe vajzave afgane"

Zyrtarët talibanë në një konferencë për media.

Shtypja e të drejtave të njeriut nga ana e talibanëve, është duke shkatërruar jetët e grave dhe vajzave afgane.

Kështu është thënë në raportin e ri të organizatës ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International.

Prej rikthimit në pushtet, gati një vit më parë, grupi radikal ka shkelur vazhdimisht të drejtave e grave dhe vajzave për edukim, punë, dhe liri të lëvizjes, ka thënë organizata.

Komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh regjimin e talibanëve, pasi kërkon respektim të të drejtave të njeriut dhe tolerancë për grupet tjera.

SHIKONI EDHE: Baerbock: Bota duhet t’iu tregojë talibanëve se janë në drejtim të gabuar

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë bllokuar fonde në vlerë të miliarda dollarëve si dhe kanë bllokuar asetet afgane.

Talibanët janë rikthyer në pushtet në gusht të vitit të kaluar, teksa forcat ndërkombëtare kanë përfunduar misionin në Afganistan.

Pavarësisht se kanë tentuar të shpërfaqin veten si më të moderuar në krahasimin me herën e parë kur kanë qenë në pushtet më 1996-2011, talibanët kanë krijuar një qeveri vetëm me burra dhe ua kanë ndaluar grave shkollimin pas klasës së shtatë dhe i kanë detyruar të mbulojnë kokën dhe fytyrën.

SHIKONI EDHE: “Zbulojeni fytyrën e saj”: Solidaritet me gazetaret afgane

Në raport është përmendur po ashtu se gratë që kanë protestuar në mënyrë paqësore kundër këtij regjimi, janë kërcënuar, arrestuar, torturuar dhe janë zhdukur me forcë.

Raporti është përpiluar pas një hetimi nëntë-mujor dhe vizitave që janë kryer nga hulumtuesit e organizatës në Afganistan.

Ata kanë intervistuar 90 gra dhe 11 vajza të moshave nga 14 deri në 74-vjeçare.

Organizata i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë për mbrojtjen e vajzave dhe grave afgane.